Shqipëria triumfoi pastër 3-0 ndaj Lihtenshtejnit, në miqësoren e luajtur në Hungari. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në sulm, përballë një rivali që kishte menduar vetëm për t’u mbrojtur. Asllani “flirtoi” me golin në minutën e 12-të, por vetëm rrjetë e jashtme. Në të 22-tën, radhën e kishte Bajrami nga goditja e dënimit, topi u ndal në mur.
Pas gjysmë ore loje, Broja shfrytëzoi në maksimum një asist të Bajramit, për të dërguar topin në rrjetë. Me epërsinë minimale të rezultatit, ekipi i Sylvinhos shkoi në dhomat e zhveshjes, ndërsa fraksioni i dytë ishte edhe më interesant.
Jasir Asani ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke i mahnitur të gjithë në minutën e 47-të. Shqipëria thelloi shifrat falë Ernest Muçit, në minutën e 67-të. Pas këtij suksesi, kombëtarja do të sfidojë Azerbajxhanin pas pak ditësh, në miqësoren e fundit para Euro 2024.