Roberto Martínez foli me krenari për Cristiano Ronaldon, pasi kapiteni portugez tregoi aftësi të jashtëzakonshme për të goditur penalltinë e parë, pas 120 minutash lojë pa gola, edhe pse e kishte humbur një të tillë në shtesën pas kohës së regullt. Ishte goditje e fortë psikologjike për CR7 ai dështim nga pika e bardhë, teksa shpërtheu në lot pas pritjes që i bëri Jan Oblak.
Trajneri i Portugalisë tha se 39-vjeçari ofroi një shembull të shkëlqyer të qëndrueshmërisë së kërkuar në këtë nivel elitar dhe këmbënguli se ishte i bindur se Ronaldo do ta çonte skuadrën e tij drejt fitores, në çerekfinale kundër Francës.
Ronaldo shënoi penalltinë e parë të Portugalisë, pasi Diogo Costa priti tentativën hapëse të Sllovenisë, goditjen e Josip Ilicic nga pika e bardhë. Portieri portugez vazhdoi t’i priste të tria penalltitë e kundërshtarit.
Më pas, Ronaldo tha se “trishtimi në fillim është gëzim në fund” dhe lavdëroi Costa. “Portugalia e meritoi, sepse ne kishim më shumë autoritet, – tha Ronaldo. – Sllovenia e kaloi pothuajse të gjithë ndeshjen duke u mbrojtur… Ishte shumë e vështirë, i gjithë ekipi duhet përgëzuar, veçanërisht portieri ynë”.
- Advertisement -
Nga ana e tij, trajneri Roberto Martinez shtoi në fjalën e tij, pas ndeshjes dramatike: “Sekreti i Portugalisë është Diogo. Është sekreti më i fshehur në futbollin europian dhe sot ai u shfaq në nivele të ndryshme. Ai ishte i jashtëzakonshëm një duelet një kundër një, më pas kishte përqendrimin dhe cilësinë për të bërë tri pritje penalltish radhazi. Duhet të jemi shumë krenarë për të.
Jemi mirë, tani është koha të përgatitemi për ndeshjen kundër Francës. Tifozët tanë janë këtu, është gjithmonë mirë, ata na japin forcë. Sonte ishte një fitore për të dashuruarit dhe ne do të japim shumë të tjera.
Ishte një fitore për vendin dhe për dhomat e zhveshjes. Cristiano është kapiteni ynë. Ai tregoi se në jetë dhe në futboll ka momente të vështira, por nuk mund të dorëzohemi, duhet të vazhdojmë përpara. Ronaldo ishte demonstrimi se çfarë duhet bërë kur gjërat nuk shkojnë mirë”.
Diogo Costa, portieri i Portugalisë, u zgjodh MVP i ndeshjes kundër Sllovenisë, e vlefshme për 1/8 finale të “Euro 2024”. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, duke qenë se fillimisht ai e mbajti rezultatin 0-0 në kohën shtesë, me një pritje të shkëlqyer karshi Sesko, më pas neutralizoi të 3 penalltitë e kundërshtarëve.
Më poshtë janë deklaratat e tij për “Uefa.com”: “Kur e shpëtova gjuajtjen e Sesko në shtesë, mendova se duhej ta bëja. Lexova gjuhën e trupit të tij dhe arrita ta ndihmoj skuadrën time. Kjo është ndoshta ndeshja më e mirë e jetës sime. U fokusova në atë që duhej të bëja, ndoqa instinktet e mia.
- Advertisement -
Natyrisht, ne i kishim analizuar penalltitë, por lojtarët ndryshojnë dhe mënyra e gjuajtjes ndryshon. Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar që e kam ndihmuar ekipin të kualifikohet në çerekfinale. Të gjithë e ndjemë nevojën të vazhdonim të besonim pas penalltisë së parë të Ronaldos. Ne besuam te triumfi deri në fund dhe të gjithë jemi shumë të lumtur”.