Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në tryezën e katërt të diskutimit me komunitetin sportiv, të mbajtur në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës.
Në një njoftim për media thuhet se teksa shprehu kënaqësinë e veçantë që ishte në mesin e komunitetit sportiv, kryeministri Kurti se të gjithë jemi dëshmitarë se fëmijët, të rinjtë e të rejat tona, kanë shumë entuziazëm për të qenë aktivë në forma të ndryshme, kanë talent shpeshherë të pashpjegueshëm në fusha të llojllojshme, ndër vite kanë arritur rezultate të pamenduara më parë por që edhe janë bërë realitet.
“Pikërisht këto, entuziazmi, talenti dhe rezultatet janë përgjigja më e mirë për neve dhe për të gjithë të tjerët sa herë që gjejmë kohë për të menduar për të ardhmen e shtetit tonë’’, u shpreh ai.
Ai tha se ndër vite duket sikur institucionet tona nuk kanë komunikuar mjaftueshëm me komunitetin sportiv e as komuniteti sportiv mjaftueshëm me njëri tjetrin në vetvete.
- Advertisement -
Ndonjëherë, sipas tij, janë disa hapa të vegjël e disa të thjeshtë, si masa që mund të merren por që e lënë ndikimin e madh në komunitet.
“Po besoj se pikërisht tryeza e Sportit, kjo përvojë e komunikimit e diskutimit të sfidave dhe përvojave e ndarjes së mendimeve edhe ideve për të ardhmen është një nga hapat e vegjël që mund të na mundësojnë zhvillimin progresiv”, tha Kurti.
Duke listuar të arriturat në fushën e sportit përgjatë dy viteve, Kurti tha se Nisma e Reformimit të Kornizës Ligjore në Sport, nxirja e qeverisjes së mirë të organizatave sportive, themelimi i Agjencisë Antidoping, rritja e mbështetjes financiare për sportin, përmirësimi i infrastrukturës fizike, programet ‘Kosova, shtet i xhudos’ dhe ‘Drejt malit’, organizimi i garave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, të gjitha këto, siç tha ai, janë masa, të cilat i kemi ndërmarrë gjatë këtyre dy viteve e të cilat do të shërbejnë si mundësi për fëmijët e sotëm e të rinjtë e së ardhmes.