Toni Kroos është ende duke menduar për ndeshjen mes Spanjës dhe Gjermanisë, në çerekfinale të “Euro 2024”. Kjo duket qartë në fjalët që ish-lojtari i Real Madridit tha për dorën e Marc Cucurella, tre muaj pas ndeshjes. UEFA e pranoi dje, edhe pse jo zyrtarisht, se arbitri kishte gabuar rëndë, duke iu mohuar gjermanëve penallti të sigurt.
Ajo ndeshje ishte e fundit e tij me kombëtaren dhe në futbollin profesionist, sepse vendosi të tërhiqej dhe dilte në “pension”. Nëse arbitri do të kishte vendosur ndryshe për atë penallti të mohuar, mund të kishte ndryshuar edhe data e “pensionimit” të tij.
Kjo ndeshje shkoi në kohën shtesë me rezultatin 1-1. Të dyja kombëtaret donin të garonin për një vend në gjysmëfinalet e Europianit dhe, përveç kësaj, Gjermania ishte ekipi vendas. Po luhej minuta e 106-të kur ndodhi “gjëma”, që Toni Kroos ende e kujton.
Një goditje e Jamal Musiala goditi dorën e Marc Cucueella në zonën e portës spanjolle, por arbitri Anthony Taylor nuk akordoi penallti. Një vendim që së bashku me golin e mëpasshëm të Mikel Merino për Spanjën, në minutën e 119-të, do të përfundonte duke i dhënë goditjen fatale Gjermanisë, e eliminuar.
- Advertisement -
Kjo është arsyeja pse fjalët e Toni Kroos, i cili nuk mundi ta zgjaste karrierën e tij futbollistike për të paktën një ndeshje, shërbejnë si akuzë mbi kriteret e UEFA-s për prekjen e topit me dorë, të cilat akordohen penallti.
Disa deklarata që vijnë në formën e një ankese dhe janë plotësisht të qarta për mesazhin: “Atyre iu deshën tre muaj për të kuptuar se kishte prekje të topit me dorë, diçka që pothuajse të gjithë mund ta shihnin në një sekondë. Kjo më qetëson shumë. A mund të them që tani jam kampion i Europës?!”