Pas një paraqitjeje mbresëlënëse dhe fitores 5-2 ndaj Armenisë, Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet sot në fushë për testin e dytë miqësor të muajit qershor.
Dardanët, të udhëhequr nga trajneri Franco Foda, do të përballen me përfaqësuesen e Komoreve në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 19:00 dhe pritet të shërbejë si një tjetër mundësi për konfirmimin e formës së mirë që ekipi tregoi disa ditë më parë.
Përballja me Komoret vjen në një moment kur Kosova kërkon jo vetëm rezultate pozitive, por edhe ndërtimin e një identiteti të qëndrueshëm nën drejtimin e trajnerit të ri. Fitorja ndaj Armenisë ka rritur pritshmëritë dhe entuziazmin te tifozët, të cilët pritet të jenë të pranishëm në numër të madh në “Fadil Vokrri”.