Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë përballjen e vështirë ndaj Zvicrës, sonte me fillim nga ora 20:45. “Dardanët” e kanë shumë të vështirë kualifikimin tutje, por me një fitore në “Fadil Vokrri” padyshim do të ktheheshin në garë me Izraelin dhe Rumaninë për pozitën e dytë.
Përzgjedhësi Primoz Gliha të mërkurën në konferencë për shtyp e pranoi se situata nuk është e lehtë, mirëpo “Dardanët” kanë punuar shumë mirë në këto pesë ditë.
“Është një situatë jo e mirë, por jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe jo për të qarë, prandaj kemi provuar ta bëjmë këtë edhe në këto pesë ditë për të mirën e ekipit”.
Ndërsa, kapiteni Amir Rrahmani gjithashtu tha se i pret një sfidë shumë e vështirë, mirëpo janë shumë të motivuar.
- Advertisement -
“Është një ndeshje e rëndësishme si ato që kemi pasur më herët. Jemi të motivuar se kemi kundërshtarin më të fortin në grup, ndeshje e mirëpresim pavarësisht se kemi shumë nevojë për pikë. Por jemi të përgatitur për këtë sfidë”, tha ai.
Problemi për Kosovën është se edhe ekipi mysafir dëshiron vetëm pikët e plota, me trajnerin Murat Yakin se ishte i qartë në konferencë për shtyp se për Zvicrën opsion është vetëm fitorja.
“Para dhe pas ndeshjes ne mund të jemi miq, por në lojë vetëm fitorja është për ne. Graniti dhe Xherdani gjithashtu e kanë të qartë këtë aspekt ngase janë shumë profesionist dhe do ta shihni në fushë”, tha ai.
Për fund, kujtojmë se përballja zhvillohet në “Fadil Vokrri” më fillim nga ora 20:45.