Kosova komplikon shumë rrugën për në Euro 2024, pasi u mundën 2-1 në sfidën kualifikuese të luajtur në Hungari ndaj Bjellorusisë.
Vendasit e nisën ndeshjen me “marshin e pestë”, teksa Ebong vendosi në provë portierin Muric që në minutën e parë. “Dardanët” u kundërpërgjigjën vetëm 5 minuta më pas, gjuajtja e Rudhanit nuk kishte saktësinë e duhur.
Mesi i fraksionit sjell episodin më të rëndësishëm të 45 minutave të para. Sulmuesi Vedat Muriqi pretendoi për penallti pas një rrëzimi në zonë, por për arbitrin loja duhej të vazhdonte. Të besuarit e Giresse rritën presionin dhe provuan me Celinën, gjithsesi, portieri Sergei Ignatovich i tha jo mesfushorit.
Kosova e pësoi dy herë, përkatësisht në minutat 73’ dhe 75-të, nga Morozov dhe Ebong. Muriqi ngushtoi shifrat në fund me penallti, pa mundur dot të ndryshojë fatin e takimit.
- Advertisement -
Kështu, pas katër ndeshjesh në grupin I, kryeson Zvicra me 10 pikë, e ndjekur nga Rumania me 8 pikë, sakaq Izraeli ka një pikë më pak. Bjellorusia dhe Kosova pozicionohen përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë me 3 pikë. Klasifikimi mbyllet nga Andorra, me vetëm 1 pikë.