UEFA i ka kushtuar rëndësi takimit të sotëm mes Gjeorgjisë dhe Shqipërisë, duke caktuar si gjyqtar holandezin Dani Makeli.
Ai drejton prej shumë vitesh në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare. Asistentë të tij janë Hesel Stegstra dhe Jan de Vries, ndërsa gjyqtar i 4-t është Alard Lindhout, edhe ata holandezë. Në VAR është caktuar Rob Dieperink, kurse në AVAR Ervin Blank. Makeli në fakt i sjell fat Shqipërisë, pasi në 3 takime ku ka qenë i pranishëm, kuqezinjtë kanë vetëm fitore. Holandezi ishte arbitër i 4-t në fitoren 0-1 në Norvegji, në mars 2013, më pas arbitër kryesor në shtator 2021, kur Shqipëria mundi 1-0 Hungarinë dhe ndaj Çekisë në tetorin e vitit të kaluar, kur Kombëtarja jonë fitoi 3-0.
BASTET- Kompanitë e basteve shohin Gjeorgjinë si favorite për fitimin e ndeshjes së sotme kundër Shqipërisë. Faktori fushë, por edhe 6 pikët në renditje të gjeorgjianëve ndikojnë në këtë drejtim. Fitorja e ekipit vendës kuotohet me koeficientin 1.95, barazimi 3.3, kurse fitorja e kuqezinjve vlen 4. Ndeshja e sotme do të transmetohet nga “TV Klan” dhe “SuperSport”.
Ndeshja do të zhvillohet në “Mikheil Meskhi Stadium” në kryeqytetin Tbilisi. Bëhet fjalë për një stadium që ka një kapacitet prej 27.223 vendesh, që do të thotë se gjeorgjianët do të kenë një mbështetje të madhe nga tifozët e tyre. Në kryeqytetin gjeorgjian parashikohet që sot të ketë reshje shiu.