Dy gjëra di të bëj në jetë: golat dhe meremetimet. Kështu, pasi ndalova së luajturi futboll, u riktheva të bëja punën time si murator. Më pëlqen dhe jam krenar për këtë”. Kështu e nis shkrimin e saj “Corriera della Sera” për ish-kapitenin e Fiorentinës, Christian Riganò, i cili llogaritet se ka shënuar rreth 300 gola në futbollin italian, në të gjitha kategoritë ku ka luajtur si sulmues. Shkrim i cili vijon më tej:
“E takojmë ish-bomberin rastësisht në një kantier ndërtimi në Firence, një hedhje guri nga ‘Ponte Vecchio’. Vapa po mbyt këdo këto ditë. Nga njëra anë është një djalë i gjatë që po heq suvanë me çekiç dhe daltë. I kryqëzojmë vështrimet, si për t’i thënë se e tija është një fytyrë e njohur. Ai buzëqesh: “Po, jam unë; Christian Riganò”.
Riganò, bomberi i një futbolli që nuk ekziston më, i cili shënoi mbi 300 gola në 520 ndeshje, kudo: nga Serie C deri në Serie A. Ai u ngjit në karrierën e tij, deri në prekjen e ekipit kombëtar, por mbeti gjithmonë i njëjti djalë që në Lipari punonte gjithë ditën murator dhe në mbrëmje shkonte në stërvitje. Derisa, një ditë, ëndrra e tij për t’u futur në futbollin e madh u realizua papritur: “Isha në Taranto. Giovanni Galli më telefonoi, duke më kërkuar të shkoja te Fiorentina, e cila kishte përfunduar në C2 pas falimentimit të Cecchi Gori. Në telefonatën e parë mendova se ishte një shaka”.
Në fakt shkoi dhe u bë kapiten i Fiorentinës, luajti me të edhe në Serie A. Një ish-sulmues i fuqishëm, tepër nuhatës para portës kundërshtare, gati të shënonte në çdo mënyrë.
- Advertisement -
“Po tani… E di, do të më pyesni se çfarë jam duke bërë këtu… apo jo? E drejtë. Le të themi se e kisha lënë këtë punë për tre të katërtat e karrierës si futbollist, – thotë ish-bomberi. – Ky jam unë, më pëlqen të ndërtoj dhe t’i meremetoj gjërat. Kështu, duke mos pasur asnjë ofertë për trajner, u ktheva të bëja punën time të djalërisë”.
Një personazh i hapur, ai i Riganos, i pesti nga shtatë vëllezërit: “Babai im, Vincenzo, i cili fatkeqësisht nuk pati kohë të shihte duke e realizuar realizuar ëndrrën time si futbollist profesionist, ishte peshkatar. Nëna ime na rriti një nga një”.
Ish-sulmuesi është një nga ata që pëlqen futbollin me zemër, jo komercial: “Kam marrë dy licenca për trajner… E dua futbollin, por duket qartë që nuk jam i përshtatshëm për këtë të sotmin, futboll kryesisht i përbërë nga sponsorë. Unë jam nga ata që nuk pranoj kompromise. Sigurisht, nëse vjen oferta e duhur, do të jem gati të kthehem në pankinë”.
Dy martesa dhe katër fëmijë. Pasi tërhiqesh nga fusha e bletë për një futbollist lind pyetja më e pashmangshme: Po tani? “E pres edhe pyetjen tuaj të radhës, – buzëqesh Rigano. – Po, kam fituar mirë dhe jam i lumtur për këtë. Megjithatë, gjatë gjithë karrierës sime, kam arkëtuar aq shumë sa lojtarë të nivelit të mesëm sot i fitojnë në dy deri në tre muaj. Pra, pas futbollit duhet të kthehemi në punë”.
Dita magjike si futbollist? “Ishte në të njëjtën kohë edhe një moment dramatik. Më 12 shtator 2004, në ‘Olimpico’. Debutova në Serie A, në moshën 30-vjeçare, me shiritin e kapitenit të Fiorentinës, pas ringritjes së pabesueshme nga Serie C”.
- Advertisement -
Riganò e pa veten në mesfushë dhe i shtrëngoi dorën Francesco Tottit: “Pas vetëm 20 minutash lojë pësova një dëmtim të rëndë. E pësova shumë keq”. Në vitin 2006 u transferua në Messina. 19 gola në 26 ndeshje, golashënuesi i tretë i turneut, pas kampionit të botës Totti dhe Lucarelli: “Sidoqoftë, ftesa e Donadonit për në kombëtare nuk më erdhi kurrë. Unë ende nuk e kuptoj pse”.
Në një mur në Firence ende shkruhet: “Zoti fal, Riga jo!” Ish-bomberi mendon për këtë dhe buzëqesh me krenari. Sot jeton në ‘Campo di Marte’, një hedhje guri nga ‘Curva Fiesole’ dhe është një personazh shumë i dashur nga lagjia:
“Dhoma e zhveshjes është gjëja që më mungon më shumë. Aty debatonim dhe bënim shaka, ishte zemra e futbollit. Kam pasur nderin të luaj kundër Del Pieros, Batistutës, Tottit… Megjithatë, unë jam i modës së vjetër, si në punë. Më jepni një copë toke (truall) dhe, me dy kolegë, mund të ndërtojmë një shtëpi”.