Interi doli nga derbi me humbjen 2-1 ndaj kuqezinjve, që treguan më shumë dëshirë e grintë për fitore. Në fund të ndeshjes, Simone Inzaghi e analizoi atë që ndodhi si vijon: “Milani është një skuadër e shkëlqyer dhe sonte bëri më mirë se ne. Kuqezinjtë e merituan fitoren. Ne nuk ishim shumë skuadër, gjë që na ndodh rrallë. Unë u përpoqa të ndryshoja diçka, por situata mbeti e njëjtë. Nuk ishim shumë kompaktë”.
Trajneri zikaltër nuk kërkon justifikime dhe shton: “Nuk ishim të qartë si në fazën e posedimit, ashtu edhe në atë të mosposedimit, dy golat e pësuar e dëshmojnë këtë. Në pjesën e dytë, pas barazimit, u duk sikur u kthyem në lojë, por nuk bëmë më të mirën. E dimë rëndësinë e derbit, humbja natyrisht që djeg shumë, por tani duhet të shohim përpara, të punojmë fort.
Humbjet janë të hidhura, veçanërisht në një derbi, ndaj do të përpiqemi të bëjmë më shumë. Nuk luajtëm si skuadër, kjo disfatë sigurisht që do të duhet të analizohet hollësisht, sepse mund të kishim bërë më shumë”.