Inter është rikthyer në një finale të UEFA Champions League pas 13 vitesh mungesë. Zikaltërit e drejtuar nga Simone Inzaghi fituan 2-0 ndeshjen e parë, ndërsa sonte triumfuan 1-0.
Të parët që kërcënojnë janë kuqezinjtë me Teon Hernandez, i cili provoi një goditje nga distanca, por pa gjetur dot portën. Brahim Diaz nuk shndërroi në gol një penallti në lëvizje në minutën e 11-të, me portierin Onana që neutralizoi gjuajtjen.
Në fundin e fraksionit, Dzeko koordinohet mirë me kokë pas një krosimi të Calhanoglu, por Maignan tha “jo” duke mbajtur në lojë skuadrën e tij me një pritje vendimtare. Në pjesën e dytë, skuadrat u treguan të kujdesshme, duke mos lejuar hapësira për kundërshtarin. Në të 70-tën, pas një krosimi të Calabrias, Leao provoi të gjejë Messias me kokë, por lojtari nuk mbërrin dot. Për t’i shuar një herë e mirë shpresat e Milanit mendoi Lautaro. Sulmuesi argjentinas dërgoi topin në rrjetë, me një të majtë tokazi. Pavarësisht përpjekjeve të “Djallit”, në fund feston Interi që shkon kështu në finalen e madhe të Stambollit që do të luhet në Stadiumin Olimpik Atatürk të shtunën më 10 qershor 2023. Përballë tyre, do të jetë njëra mes Real Madrid dhe Manchester Cityt.