Andrés Iniesta (40 vjeç) do të shpallë tërheqjen e tij nga futbolli profesionist më 8 tetor. Ish-kapiteni i Barçës dhe heroi i Botërorit të Afrikës së Jugut me kombëtaren spanjolle ka shpërndarë një video në rrjetet sociale, në të cilën tregon se do ta zbulojë të ardhmen e tij më 8 tetor.
Në video, artisti i grafitit ‘TV Boy’ shfaqet duke bërë një dizajn të Iniestës me ‘8’-in e tij, numër të cilin pastaj e rrotullon dhe e shndërron në simbolin e infinitit (∞). Një gjest që tregon se ylli nga Fuentealbilla do të “varë këpucët në gozhdë” pas një karriere legjendare plot suksese.
Iniesta është planifikuar të shfaqet në një event në Barcelonë më 8 tetor, ku do të komunikojë vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur dhe çfarë rruge do të ndjekë më tej, sërish në futboll, por jo duke luajtur vetë më.
Iniesta është pa skuadër që nga 1 korriku, kur përfundoi marrëdhënia e tij kontraktuale me Emirates Club të Emirateve të Bashkuara Arabe. Që nga ajo kohë nuk kishte asnjë lajm për të ardhmen e tij.
- Advertisement -
Andrés Iniesta është një nga legjendat e mëdha të Barcelonës, skuadër me të cilën ka fituar të gjithë titujt e mundshëm. Rekordi i tij si lojtar i Barcelonës përfshin 9 La Liga, 4 Liga Kampionësh, 6 Kupa Mbreti, 3 Superkupa Europiane, 7 Superkupa të Spanjës dhe 3 Kupa të Botës për Klube, ndërsa me kombëtaren spanjolle triumfoi në Botërorin 2010, duke qenë hero i madh i finales ndaj Holandës. Po ashtu, ka fituar Kampionatin Europian më 2008 dhe 2012.