Ilir Daja i ka thënë lamtumirë eksperiencës kosovare, ku shkëlqeu me Ballkanin e tij, edhe në Kupat e Europës, përmes një mesazhi të ndjerë në rrjetet sociale:
“E dashur familja e madhe dhe prestigjoze “BALLKANI”! I keqardhur kam pranuar faktin, se është momenti që rrugët tona, pas 973 ditësh të vrullshme, të jashtezakonshme, emocionuese dhe mbi të gjitha me rezultate historike, të ndahen.
Në këtë moment do të doja ta përqafoja dhe falënderoja secilin nga ju, që e bëtë aventurën time në Suharekë më të mirën në aspektin njerëzor dhe profesional, duke filluar nga presidenti Arsim Kabashi, familjarët dhe bashkëpunëtoret e tij, secilin nga anëtarët e stafit tim teknik, çdonjërin nga futbollistët, çdo tifoz të Ballkanit, veçmas “Xhebrailat”, çdo qytetar të Suharekës.
Falënderime dhe mirënjohje pa fund. Kam një falënderim, gjithashtu për opinionin e gjerë sportiv të Kosovës, çdo rival tonin në fushën e lojës dhe në tribuna, secilin nga përfaqësuesit e medias dhe çdo studio televizive.
- Advertisement -
Ne jemi bërë më të fortë, më të pjekur, më profesionistë falë edhe rivalitetit e kontributit tuaj! Largohem nga Suhareka shumë krenar për çdo ditë të punës time aty, për çdo fitore, për çdo trofe, për çdo sukses në garat europiane.
Pafundësisht mirënjohës për të gjithë, jashtëzakonisht i lumtur në qytetin dhe klubin ku erdha si mysafir dhe largohem i përmbushur, me ndjesinë e një pjesëtari të familjes së madhe “BALLKANI”, së cilës i uroj dhe dëshiroj suksese të reja dhe më të mëdha. Faleminderit Ballkani!”