Një nga momentet më të vështira të karrierës së Lorik Canës, ka qenë në verën e vitit 2015, kur mjekët i konstatuan një problem në zemër dhe i këshilluan të tërhiqet nga futbolli.
Gjithçka një vit para se Shqipëria të garojë në Europianin Francë 2016 dhe historinë e tregon bashkëshortja e Lorik Canës, në dokumentarin “Lorik” të transmetuar në SuperSport News.
“Loriku ishte duke u transferuar në një skuadër jashtë Europës dhe e dinim për një problem në zemër, por që ishte plotësisht nën kontroll. Para firmës me skuadrën e re, mjekët i bënë një kontroll të specializuar. Unë isha shtatzënë në Francë dhe Loriku më telefonoi për të më thënë se doktorët i kanë evidentuar një problem shqetësues dhe i kanë këshilluar të tërhiqet nga futbolli. I thashë: po bën shaka? Nuk është e vërtetë. Ai është i madh dhe i fortë, ndaj dukej e pamundur. Kishte luftuar gjithë jetën për një objektiv si Europiani dhe po i hiqej për një arsye që nuk varej nga ai”, rrëfen e emocionuar bashkëshortja e Lorikut.
Asokohe Cana ishte shumë pranë transferimit në Katar, por problemet në zemër e pamundësuan këtë lëvizje. Në rrethana të tilla, kapiteni legjendar i kuqezinjve firmosi në ditën e fundit të merkatos me Nantes, ku nuk luajti rregullisht, pasi zemra nuk ia lejonte, por nuk donte kurrsesi të tërhiqej pa veshur fanellën e Shqipërisë në Europianin e 2016-ës.