Gennaro Gattuso është trajneri i ri i klubit kroat, Hajduk Split. Ka qenë vetë klubi kroat që e ka bërë të ditur lajmin.
Angazhimi i tij i fundit i Gattuso si trajner ishte drejtimi i gjigantit francez Olympique Marseille, nga pankina e të cilit u largua në shkurt të këtij viti.
“HNK Hajduk ka kënaqësinë të konfirmojë sot se ekipi ynë i parë në sezonin e ri do të drejtohet nga Gennaro Gattuso. Ai ka nënshkruar kontratë me bardhezinjtë deri në verën e vitit 2026 dhe në Split do të mbërrijë javën e ardhshme, në fillim të përgatitjeve të ekipit të parë, kur edhe do ta prezantojmë zyrtarisht në Poljud”, ka njoftuar klubi kroat.
Pjesë e Hajdukut janë edhe futbollisti kosovar, Emir Sahiti, si dhe Leon Dajaku, i cili ka pasaportë gjermane.