Mbrojtësi i Nacional, Juan Izquierdo, i cili u rrëzua në fushë, pasi pati rrahje të çrregullta të zemrës javën e kaluar, ka vdekur, tha të martën klubi i tij uruguajan. 27-vjeçari i ishte nënshtruar trajtimit mjekësor që nga kolapsi gjatë ndeshjes së Nacional kundër Sao Paulo më 22 gusht, për llogari të “në Copa Libertadores”.
Izquierdo ra në tokë pa ndjenja në minutën e 84-të, pa pasur kontakt me ndonjë lojtar tjetër. Ai u nxor nga fusha me ambulancë përpara se të trajtohej në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit “Albert Einstein”. Spitali tha në një deklaratë se Izquierdo kishte humbur jetën si pasojë e “vdekjes së trurit pas një arresti kardio-pulmonar të shoqëruar me aritmi kardiake”.
“Me pikëllimin dhe tronditjen më të thellë në zemrat tona, klubi i Nacional njofton vdekjen e lojtarit tonë të dashur Juan Izquierdo, – shkroi Nacional në X. – Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët dhe të dashurit e tij. Gjithë Nacional është në zi për humbjen e tij të pariparueshme”.
Uruguaji pezulloi të gjithë aktivitetin e futbollit fundjavën e kaluar për shkak të shqetësimeve për shëndetin e Izquierdo. Alejandro Dominguez, presidenti i CONMEBOL, gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e Izquierdo: “Futbolli i Amerikës së Jugut është në zi”.
- Advertisement -
Ngushëllime shprehën edhe lojtarët e kombëtares së Uruguajit dhe ish-shokët e skuadrës së Izquierdo. “Dhimbje, trishtim, është e vështirë të shpjegohet, – shkroi sulmuesi i Inter Miami, Luis Suarez. – U prehtë në paqe! Uroj shumë forcë për familjen dhe miqtë e tij!”
Karriera e Izquierdo përfshinte periudha te Cerro, Peñarol, Wanderers dhe Liverpool në Uruguaj. Ai gjithashtu luajti për San Luis të Liga MX.
Federata e Futbollit të Uruguajit tha se lajmi ishte thellësisht i dhimbshëm, ndërsa organet kombëtare qeverisëse të Argjentinës, Perusë, Paraguajit dhe Kolumbisë shprehën ngushëllimet e tyre për familjen dhe miqtë e Izquierdo.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Brazilit, Ednaldo Rodrigues tha se do të mbahet një minutë heshtje në çdo ndeshje të organizuar ditën e sotme.