Futbollisti mitrovicas, Arbnor Muja ka bërë një postim emocional pasi e mbylli edicionin si kampion i Belgjikës me Antwepin.
Ai e ka përshkruar rrugëtimin e tij drejt majave të futbollit me një fotografi nga shkolla fillore dhe me një fotografi si kampion i Belgjikës. “U rrita në rrugët e Kosovës, duke luajtur futboll me shokët e lagjes. Jetoja vetëm me një qëllim, të bëhem futbollist profesionist, të luaj në arenën ndërkombëtare, të jem sikur ata në televizion. Por të jem kampion në një shtet evropian, se kam menduar kurrë”, ka shkruar Muja.
Futbollisti që nisi të luajë fillimisht te shkolla e futbollit Bardhi e më pas te Trepça dhe Trepça ’89, për të vazhduar një periudhë në Gjermani e Shqipëri, e për të shpërthyer në fanellën e Dritës nga ku u transferua tek klubi belg, ka thënë: “Çdo ditë punova fort dhe besova edhe pse shumë herë u theva nga pikëllimi. Se plani i Zotit është më i miri për ju e dëshmova me karrierën time. Të gjithë ju që më përkrahët, faleminderit. Faleminderit familjarëve, shokëve, juve sportdashës, të gjithëve. Dhe në fund dua të falënderoj veten. Faleminderit Arbnor që nuk lejove veten të mposhtesh kurrë”, ka shkruar Muja.
Ndonëse pati një edicion të suksesshëm në Belgjikë, Muja sot mori lajmin e keq, pasi nuk u përfshi në listën e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, për dy ndeshjet e këtij muaji kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.