Futbollistet e Kombëtares së Kosovës kanë pësuar humbje të thellë në duel me Uellsin, në ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, e cila u transmetua drejtpërdrejt në RTK 1, u mbyll me fitoren e pritur të Uellsit, me rezultat të thellë 6:0.
Kjo ishte humbja e dytë e Dardaneve, pasi katër ditë më parë pësuan humbje edhe në Antali në duel me Ukrainën, 2:0.
Nga dy gola për Uellsin i realizuan Rachel Rowe (30’ e 60’) dhe Elise Hughes (85’ e 90’+3’), derisa me nga një gol kontribuuan edhe Kayleigh Barton (44′) dhe Ffion Morgan (62′).
Përzgjedhësja Anneli Andersen pas ndeshjes e pranoi se Uellsi ishte në nivel dukshëm më të lartë si ekip. Ajo tha se me disa gjëra ishte e kënaqur se si performuan lojtaret e saj, por jo edhe me disa të tjera, e veçmas pas minutës së 60-të. ”Gjithsesi, ky është një nivel shumë më i lartë, por ajo që është me rëndësi është që ne të përmirësohemi pas çdo grumbullimi që kemi si kombëtare. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme do të jemi në gjendje të luajmë më mirë”, tha ajo për RTK-në.
- Advertisement -
Edhe futbollistet Rrezona Ramadani dhe Erëleta Memeti pranuan se ende janë larg nivelit të Uellsit:
“Normalisht ishte një ndeshje e vështirë ashtu siç e kemi pritur. Nuk mendoj se është rezultati real, por duhet pranuar se Liga B është shumë më e vështirë se Liga C, ku kemi qenë deri tash. Besoj se në ndeshjet e tjera do të tregojmë se nuk jemi për këtë rezultat dhe do të arrijmë të marrim rezultate pozitive. Në dy vjetët e fundit kemi përparuar shumë. Kalimi nga Liga C në Ligën B ka qenë një hap përpara. Shpresoj të bëjmë më mirë në të ardhmen”, tha Rrezona Ramadani.
Ndërkaq, Erëleta Memeti tha se ky është një nivel ndryshe dhe shumë më lart se sa Liga C, ku mori pjesë së fundi kombëtarja jonë.
“Në këto ndeshje duhet të marrim përvojë. Çdo vajzë duhet të ushtrojë më shumë, madje edhe privatisht në aspektin fizik, për të arritur këtë nivel. Jemi munduar të rezistojmë, por ka qenë e pamundur pasi Uellsi ishte në nivel shumë më të lartë. Neve na duhet kohë për të arritur këtë nivel”.
Dy ndeshjet e ardhshme Kosova i zhvillon kundër Kroacisë, më 31 maj në shtëpi dhe më 4 qershor si mysafir.