Barça shkakton një “termet 7 ballë” ndaj Valencias, një sukses 7-1 që konfirmon edhe një herë forcën e tyre të madhe ofensive. Brenda pak ditësh, mes Champions dhe La Liga-sa, ekipi i Hansi Flick ka realizuar plot 12 gola.
Në aksionin parë sulmues, pas vetëm 3 minutash lojë, de Jong realizoi golin e parë. Pesë minuta më vonë ishte Ferran Torres që dyfishoi shifrat. Barça nuk e uli ritmin për asnjë minutë pasi në minutën e 14-të Raphinha u shkëput shpejt duke realizuar golin e tretë.
Me Valencia-n të pafuqishme për të reaguar, ekipi i Flick e shndërroi në një goleadë të vërtetë këtë takim pasi në minutën e 24-ët ishte Fermin Lopez që dërgoi rezultatin në 4-0. Barça nuk u mjaftua me kaq pasi në limitet e pjesës së parë Fermin Lopez kompletoi “dopietën” e tij personale dhe “manitën” e blaugranave.
Në fraksionin e dytë, Valencia realizoi golin e nderit, por Flick hodhi në fushë edhe Robert Lewandowskin me polakun që nuk mungoi në apel duke dërguar shifrat në 6-1 në minutën e 66-të. Minutat e mbetura prodhuan dhe një autogol të Valencias duke sigluar rezultatin final në 7-1.
- Advertisement -
Me këtë fitore, Barcelona i përgjigjet Realit, por kreu mbetet ende larg, minus 7-të pikë nga ekipi i Ancelottit. Nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore të madhe Hansi Flick:
“Ishte fantastike mënyra se si shënuam kaq shumë gola. Ishte një ndeshje e madhe, perfekte. Të gjithë ishin të përfshirë në manovrën sulmuese, luajtën në mënyrë të shkëlqyer”, u shpreh Flick.