Në Anamoravë ka nisur zyrtarisht ndërtimi i stadiumit të ri, një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore sportive në këtë rajon. Investimi kap vlerën e 12.8 milionë eurove, ndërsa parashikohet që punimet të përfundojnë brenda dy vitesh.
Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 8,750 ulësesh dhe do të ofrojë kushte moderne dhe dinjitoze për zhvillimin e aktiviteteve sportive, si dhe për ndjekjen e ndeshjeve nga tifozët.
Ceremonia e nisjes së punimeve u zhvillua në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, si dhe deputetëve dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale.
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të sportit dhe përmirësimit të infrastrukturës në rajonin lindor të Kosovës.