Shtëpia e basketbollit kosovar ka reaguar pas arrestimeve të sotme.
Referi Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati janë arrestuar sot në Prizren me dyshimin e përfshirjes në kurdisje të ndeshjeve të basketbollit.
FBK përmes një njoftimi, ka reaguar lidhur me arrestimin e Mehmetit dhe Rifatit. FBK thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me organet përgjegjëse dhe se e mirëpret vendimin e organeve të rendit, duke shpresuar që ata që u përfshinë në kurdisje të ndeshjeve të dalin para drejtësisë.
“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton të gjithë opinionin sportdashës se, është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit, të raportuara në media. Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur, kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA. FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë. Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
- Advertisement -
Sipas këtij njoftimi, FBK është institucioni i parë sportiv në vend që ka të angazhuar edhe Personin për Integritet, me mandat për të luftuar këto dukuri dhe të gjitha aspektet negative në basketbollin tonë, si dhe ka zhvilluar disa kampanja kundër dukurive negative në basketboll.
“Ne zotohemi për lojë të ndershme dhe do të luftojmë këto dukuri deri në fund!”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FBK-së.