Barcelona ka dalë fituese nga një prej përballjeve më dramatike të sezonit në La Liga, duke mposhtur Real Madridin me rezultat të ngushtë 4:3 në një El Clasico plot emocione dhe gola.
“Los Blancos” e nisën ndeshjen furishëm, duke kaluar në epërsi që në minutën e 5-të falë një penalltie të shndërruar në gol nga Kylian Mbappe. Francezi nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 14-të dyfishoi avantazhin, duke e vënë Barcelonën në vështirësi të hershme.
Por “Blaugranët” reaguan fuqishëm. Në minutën e 19-të ngushtuan diferencën, për të barazuar më pas me një gol të Lamine Yamal në minutën e 32-të. Vetëm dy minuta më vonë, ishte Raphinha që përmbysi gjithçka, duke i dhënë epërsinë 3:2 Barcelonës.
Braziliani nuk u ndal me kaq – në fund të pjesës së parë (45’) ai realizoi edhe golin e katërt për katalanasit, duke mbyllur 45 minutat e para me një avantazh komod prej dy golash.
- Advertisement -
Në pjesën e dytë, Reali kërkoi të rikthehej në lojë, por gjithçka që arriti ishte një tjetër gol nga Mbappe në minutën e 70-të, me të cilin kompletoi “hat-trickun” e tij personal – por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Me këtë fitore të madhe, Barcelona ngjitet në vendin e parë në tabelë me 82 pikë, duke lënë pas Real Madridin me 75 pikë dhe duke bërë një hap të madh drejt titullit të kampionit.