Mesfushori shqiptar nga Zvicra, Ardon Jashari, ka shkëlqyer në suksesin e madh të Club Brugge, që të dielën mbrëma fitoi Kupën e Belgjikës duke mposhtur Anderlechtin e trajnerit Besnik Hasi me rezultatin 2:1.
Në finalen e zhvilluar në Bruksel, Romeo Vermant ishte heroi i Brugge-s me dy gola të shënuar në minutat 40 dhe 61. Anderlechti reagoi vetëm në kohën shtesë me golin e Luis Vazquez (91′), por ishte shumë vonë për të shmangur humbjen.
Jashari e zhvilloi të gjithë ndeshjen si titullar dhe dha një tjetër paraqitje solide në mesin e fushës, duke konfirmuar formën e lartë që po kalon gjatë këtij edicioni.
Ky është trofeu i parë në karrierën e 22-vjeçarit dhe një sukses i rëndësishëm personal për të, ndërsa për Club Brugge është trofeu i 12-të i Kupës së Belgjikës – duke e forcuar pozitën si skuadra më e suksesshme në këtë garë.
- Advertisement -
Jashari ka qenë një prej lojtarëve kyç për skuadrën belge këtë sezon, duke kontribuar në 48 ndeshje me katër gola dhe gjashtë asistime.
Kampionatin e kaluar, fitues i Kupës ishte Royale Union Saint-Gilloise, por këtë herë trofeu u rikthye në duart e Brugge-s.