Real Madrid ka marrë një fitore dramatike në çastet e fundit kundër Manchester City në “Etihad”, duke përmbysur rezultatin dhe duke triumfuar 2-3 në ndeshjen e parë të fazës “playoff” të Champions League.
Skuadra e Pep Guardiola ka kaluar në epërsi qysh në minutën e nëntëmbëdhjetë, kur Erling Haaland ka shënuar për City.
Pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat, por madrilenët kanë reaguar në fraksionin e dytë.
Në minutën e gjashtëdhjetë, Kylian Mbappe e ka barazuar rezultatin për Real, duke ndezur shpresat e ekipit spanjoll. Megjithatë, Haaland ka rikthyer sërish epërsinë për City në minutën e tetëdhjetë me një gol nga penalltia.
- Advertisement -
Kur është dukur se vendasit do të siguronin fitoren, Real Madrid ka bërë një tjetër rikthim spektakolar: fillimisht, Brahim Diaz ka shënuar golin e barazimit në minutën e tetëdhjetë e gjashtë, ndërsa Jude Bellingham u ka dhënë fitoren madrilenëve me një gol në kohën shtesë.
Në ndeshjen tjetër, Juventus e ka mposhtur PSV Eindhoven me rezultat 2-1. McKennie ka shënuar golin e parë për “Zonjën e Vjetër” në minutën e tridhjetë e katërt, ndërsa Perisic ka barazuar për holandezët në minutën e pesëdhjetë e gjashtë. Gjithsesi, Mbangula ka realizuar golin e fitores për torinezët në minutën e tetëdhjetë e dytë.
Ndërkohë, Borussia Dortmundi ka shënuar fitore të pastër 3-0 ndaj Sporting Lisbon. Golat për gjermanët janë realizuar nga Guirassy (60′), P. Grob (68′) dhe Adeyemi (82′).
Me këto rezultate Real Madrid, Juventus dhe Dortmund kanë avantazh para ndeshjeve të kthimit.