Frenkie de Jong ishte lojtari i ngarkuar për të folur në prag të ndeshjes mes Napolit dhe Barcelonës, që do të luhet këtë të mërkurë në stadiumin “Maradona”. Holandezi u shpreh shumë kritik ndaj shtypit për informacionet që kanë dalë ditët e fundit. Ai siguron se shumë prej tyre janë të rreme.
E ardhmja – “Kohët e fundit po acarohem pak, jam inatosur me ato që shkruan shtypi në përgjithësi. Dalin shumë gjëra që nuk janë të vërteta. Nuk mund ta kuptoj, po thonë gjëra që nuk janë të vërteta. Nuk e di se si nuk kanë turp të gënjejnë publikisht”.
Rinovimi – “Po flisni shumë për kontratën time, situatën, rrogën… Ka shumë tym dhe gënjeshtra. Ju thoni që po fitoj 40 e ca milionë euro, por kjo shifër është shumë larg realitetit. Mediat kanë shpikur një histori që nuk është e vërtetë. Jam shumë i lumtur te Barça, është klubi i ëndrrave të mia dhe shpresoj të vazhdoj të luaj këtu për shumë vite.
E di që shumë gjëra janë shpikur, sepse shkruhen të pavërteta. Gazetarët po e bëjnë këtë në përgjithësi, me shumë lojtarë dhe trajnerë. Ju lus të ndryshoni, sepse nuk mund të shkruani gjëra që nuk janë të vërteta”.