Cristiano Ronaldo nuk do të jetë pjesë e Botërorit të Klubeve që zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me pjesëmarrjen e 32 skuadrave nga mbarë bota.
Sulmuesi portugez ka refuzuar ofertën e bujshme nga klubi saudit Al Hilal për t’u bashkuar me ta vetëm për këtë turne, duke zgjedhur të qëndrojë besnik ndaj skuadrës së tij aktuale, Al Nassr. Një lëvizje e tillë do ta kishte vendosur Ronaldon përballë ish-klubit të tij, Real Madridit, pasi të dyja skuadrat janë në të njëjtin grup të kompeticionit.
Përveç Al Hilal, një tjetër pistë që është përmendur – ajo e kalimit të përkohshëm te gjigantët egjiptianë Al Ahly – është përjashtuar plotësisht. Nëse kjo marrëveshje do të realizohej, do të kishte sjellë një përballje të shumëpritur mes Ronaldos dhe Lionel Messit, që pritet të përfaqësojë Inter Miami në këtë turne.
Ndërkohë, burime pranë klubit konfirmojnë se Cristiano Ronaldo është pranë rinovimit të kontratës me Al Nassr, duke theksuar angazhimin e tij afatgjatë me klubin dhe projektin sportiv në Arabinë Saudite.
- Advertisement -
Turneu i Botërorit të Klubeve, i cili për herë të parë do të zhvillohet me formatin e zgjeruar në SHBA, pritet të jetë një spektakël i vërtetë, por pa praninë e njërës nga figurat më të mëdha të historisë së futbollit.