“Ne kemi një stil që i asfikson rivalët”. Fraza u tha nga Alvaro Morata në barin e “Veltins Arena” dhe u ratifikua nga Spaleti në konferencën për shtyp pak minuta më vonë. “Ka të drejtë, të gjithë duam të luajmë si Spanja…”.
Pak minuta përpara se Morata të fliste, francezja “L’Equipe” e kishte titulluar raportin e ndeshjes: “Spanja mbyt Italinë dhe tashmë është në fazën e 1/8 e finaleve”. E gjithë Evropa pajtohet: “Spanja është një skuadër e frikshme”. De la Fuente, i cili nuk është adhurues i lajkave, la gjithashtu një frazë për shpresë. “Nuk ka ekip më të mirë se ne”. Loja e shkëlqyer ndaj Italisë ka shpallur përfundimisht gjendjen e euforisë në Spanjë, ndonëse Europiani i vërtetë për Spanjën dhe protagonistët e tjerë të mëdhenj nis nga faza e 1-8. Ajo që nuk ka dyshim është se Spanja ka rënë sërish në dashuri me një stil që ka ndryshuar jo pak në krahasim me vitet e fundit.
Lamtumirë ndeshjeve me njëmijë prekje të topit, përshëndetje futbollit marramendës të Lamines dhe Niko Uilliams dhe një presion që bllokon rivalët. Spanja është skuadra që “vjedh” më shumë topa në këtë Europian (82) dhe ajo që shkakton më shumë faulle! Spanja numëron 32 faulle në dy ndeshjet e para në grup, çka flet për intensitetin me të cilin Spanja e përballon atë presion në fushën kundërshtare. Sepse më shumë se 50% e rikuperimeve dhe faulleve të Spanjës ndodhin në fushën rivale. Tani për tani është sekreti i Spanjës. “I kemi shumë të qarta idetë. Trajneri na kërkon të bëjmë presing, të kërkojmë golin dhe të jemi vertikal”, tha Niko Uilliams në nisje të grumbullimit. E thënë e bërë. Spanja po e interpreton në mënyrë perfekte planin e De la Fuentes, me ndjenjën se skuadra po rritet me kalimin e ndeshjeve.
BILANCI – Shifrat e Spanjës në këtë Europian janë mbresëlënëse. Dy fitore në dy ndeshje, katër gola të shënuar dhe asnjë e pësuar. Ndërsa me Kroacinë, Spanja i dha mundësi rivalëve, kundër Italisë, portierit Unai Simon iu desh të bënte vetëm një ndalesë në të gjithë ndeshjen, gjë që flet për qëndrueshmërinë e një skuadre që e nis sistemin e saj mbrojtës me sulmuesit. De la Fuente është aq i qartë për planin, saqë ai ndryshoi të gjithë sulmin në pjesën e dytë. Por pa humbur asgjë në cilësi.