Elita e futbollit evropian ka hyrë në fazën më të ‘nxehtë’, me gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve që do të luhet sonte ndërmjet Arsenalit dhe PSG-së.
Ndeshja, e cila do të zhvillohet në “Emirates Stadium”, pritet të jetë një përballje e zjarrtë mes dy skuadrave të mëdha, me shpresat për një finale të madhe të Champions League në ajër.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka shprehur besimin se skuadra e tij është gati për duelin me kampionët në fuqi të Francës. Ai theksoi se ka mundësi të madhe për të kënaqur tifozët e Arsenalit me një paraqitje të fortë në këtë sfidë të rëndësishme.
“Është një mundësi e jashtëzakonshme. Jemi këtu për t’i bërë njerëzit të lumtur,” tha Arteta në konferencën për shtyp, duke shtuar: “Po, e ndjejmë entuziazmin, është diçka unike. Jemi plot energji dhe mezi presim të luajmë. Si një nga katër skuadrat më të mira në Evropë, ne duam të shkruajmë një histori më të bukur.”
- Advertisement -
Nga ana tjetër, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka pohuar se skuadra e tij është e gatshme për këtë sfidë të rëndësishme. Sipas tij, ndeshja kërkon një menaxhim të shkëlqyer të presingut dhe të gjithë aspekteve të lojës për të arritur objektivin e kalimit në finale.
“Janë gjysmëfinalet e Champions League, dy ndeshje mes dy skuadrave që kanë të njëjtin objektiv, dy kundërshtarë që duan të bëjnë më mirë. Çelësi do të jetë menaxhimi i presingut. Do të duhet të menaxhojmë gjithçka në mënyrën më të mirë, do të jetë shumë e rëndësishme,” tha Enrique.
Ndeshja ndërmjet Arsenalit dhe PSG-së do të fillojë në orën 21:00 dhe pritet të ofrojë spektakël dhe emocione të mëdha për tifozët e futbollit evropian.