Janë mbyllur ndeshjet e para çerekfinale të Europa League, me disa përballje dramatike dhe rezultate të papritura. Manchester Unitedi dhe Tottenhami u ndalën me barazime në sfidat e tyre, ndërsa Lazio u dorëzua në udhëtim ndaj skuadrës norvegjeze Bodo/Glimt.
United shpëton barazimin në fund
Manchester United arriti të nxjerrë një barazim 2-2 si mysafir ndaj Lyonit, në një përballje me shumë emocione. Francezët kaluan të parët në epërsi me një gol të Almadas në minutën e 26-të, ndërsa “Djajtë e Kuq” reaguan në kohën shtesë të pjesës së parë me golin e Yoro-s. Në minutën e 88-të, Zirkzee i dha epërsinë Unitedit për herë të parë në ndeshje, por entuziazmi i anglezëve u shua shpejt, pasi Cherki realizoi golin e barazimit në minutën e 95-të.
Tottenhami ndalet në shtëpi
- Advertisement -
Edhe Tottenhami nuk arriti të shfrytëzojë avantazhin e fushës, duke barazuar 1-1 me Eintracht Frankfurtin në Londër. Ekitike zhbllokoi rezultatin për gjermanët në minutën e 6-të, por 20 minuta më vonë Pedro Porro u përgjigj për vendasit, duke vendosur edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Lazio dorëzohet në Norvegji, pa gola në Skoci
Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, Lazio u mposht 2-0 nga Bodo/Glimt në një përballje të vështirë në Norvegji, duke e komplikuar rrugën drejt gjysmëfinales. Ndërkohë, ndeshja mes Rangers dhe Athletic Bilbaos përfundoi pa gola, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit.