Ish-trajneri Fabio Capello paralajmëron se Kroacia është “kundërshtarja më e keqe e mundshme” për Italinë në ndeshjen vendimtare të fazës së grupeve të “Euro 2024”. Ai shpjegon gjithashtu hendekun teknik të axurrëve me Spanjën, ndaj së cilës bënë një paraqitje zhgënjyese: “Kam stërvitur në Madrid, e di mirë mënyrën se si mësohet dhe përjetohet futbolli në Spanjë. Momenti më i mirë i stërvitjes është ritmi, saktësia në pasime, jo sepse bën shaka dhe relaksohesh.
Sfida atje është të bësh sa më pak gabime dhe të perfeksionosh rregullat e teknikës. Në Itali, vitet e fundit, shumë e kanë marrë Guardiolën si model, por Guardiolën e dhjetë viteve më parë, ndërsa vetë Pep po evoluonte dhe shikonte përpara.
Keqkuptimi ka çuar në situatën e sotme. Lojtarët tanë pothuajse kurrë nuk e marrin përgjegjësinë për ta luajtur topin përpara, ose për të rrezikuar me një driblim. Ne përfunduam duke ngatërruar lojën e mirë me posedimin steril të topit.
Loja e mirë, megjithatë, është ajo e Spanjës aktuale, ja modeli që duhet ndjekur. Një model në të cilin Nico Ëilliams, në moshën 21-vjeçare, shpjegon se si gjithmonë synohet të driblohet kundërshtari”.
- Advertisement -
Italia po përgatitet për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës. Të hënën, fitorja ose barazimi ndaj Kroacisë do të mjaftojë për t’u kualifikuar në 1/8 finale. Trajneri Spalletti po shqyrton disa ndryshime në formacionin fillestar.
“Jemi në një pikë të kualifikimit për në 16-she dhe ndeshja kundër Kroacisë do të na japë mundësinë të shpagojmë veten. Ne mund të reagojmë, – ka saktësuar më tej Capello. – Lojtarët e Italisë ishin ndoshta shumë të lodhur pas fitores 2-1 ndaj Shqipërisë, në debutimin e tyre. Kombëtarja jonë dukej e rraskapitur të enjten, sepse kundërshtarët e saj ishin shumë të mirë në gjithçka.
Spanjollët nuk kishin kontroll të dobët të topit, por e lëviznin topin me shpejtësi të pabesueshme dhe kishin cilësi në çdo pozicion. Ishte një mësim për axurrët, por ne duhet ta njohim vlerën e kundërshtarit. Kjo Spanjë është në rreshtin e parë për ta fituar Kampionatin Europian. Sinqerisht, edhe unë u befasova. E dija që kishin cilësi, e kishin treguar kundër Kroacisë, por kundër Italisë ishin edhe më të shpejtë”.
Capello vazhdoi të shpjegojë ndryshimin teknik të axurrëve me “La Roja”: “Hendeku teknik fillon nga larg, sepse cilësia nuk kultivohet më në vendin tonë. Sektori i të rinjve mëson taktika, por jo teknikën dhe ky është rezultati afatgjatë. Ne e kemi ngatërruar futbollin e mirë me posedimin steril të topit. Futbolli i mirë është ajo që bën Spanja aktualisht. Kjo është rruga për t’u ndjekur”.
Luka Modric tashmë ka paralajmëruar Italinë se kombëtarja e tij do të luajë pa frikë të hënën. Edhe Capello ndihet saktësisht në të njëjtën mënyrë: “Shumë shohin një ekip në fund të ciklit. A e dini se çfarë shoh unë te Kroacia? Kampionë me shpinën pas murit.
- Advertisement -
Kundërshtarët më të këqij të mundshëm të Italisë në ndeshjen e së hënës. Rreziku vjen nga qendra e mesfushës: Modric, Brozovic, Kovacic. Mund të mos jenë aq të shpejtë sa spanjollët, por teknikisht janë ekuivalentë. Kjo është arsyeja pse na duhet një kombëtare që mëson nga gabimet e bëra ndaj Spanjës. Një grup i bashkuar dhe i fokusuar.
Ne do të kemi dy rezultate nga tre të mundshme, por Italia do të duhet të dalë në fushë për të fituar dhe për të treguar se mund ta thotë fjalën e saj në këtë Kampionat Europian”.