Mungesa e trofeve këtë sezon ka shtuar presionin mbi drejtuesit e skuadrës saudite Al Nassr, të cilët po rishqyrtojnë të ardhmen e Cristiano Ronaldos në klub. Sipas të përditshmes spanjolle Marca, një ofertë befasuese për yllin portugez ka ardhur nga Maroku.
Gjiganti maroken Wydad Casablanca thuhet se ka paraqitur një propozim për të siguruar shërbimet e Ronaldos me synimin për ta pasur në përbërje gjatë Botërorit të Klubeve, që zhvillohet në qershor.
Përfshirja e Ronaldos në këtë turne ndërkombëtar do të ishte një përforcim i madh, jo vetëm për Wydad-in, por edhe për vetë garën. FIFA, sipas raportimeve, e sheh me shumë interes praninë e dy ikonave të futbollit modern, Ronaldo dhe Messi – ky i fundit që do të përfaqësojë Inter Miami – si një element thelbësor për të rritur vëmendjen dhe audiencën globale.
Në fazën grupore të Botërorit të Klubeve, Wydad Casablanca do të përballet me skuadra të nivelit të lartë si Al Ain, Juventusi dhe Manchester City, ndaj afrimi i një lojtari me përvojën dhe reputacionin e Ronaldos shihet si përforcim strategjik, si në fushë, ashtu edhe për aspektin komercial.
- Advertisement -
Megjithëse nuk ka ende konfirmim zyrtar nga vetë lojtari apo klubi i tij aktual, kjo lëvizje nxit spekulime rreth të ardhmes së CR7 dhe mundësisë që ai të ndërrojë ambient për një tjetër sfidë ndërkombëtare, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër.