Një mbrëmje magjike për Etrit Berishën në finalen e Kupës së Suedisë. Portieri shqiptar u bë hero absolut për skuadrën e tij, Haken, në përballjen ndaj kampionëve të vendit, Malmo, duke i dhënë trofeun ekipit të tij pas një sfide dramatike.
Finalja e luajtur mes dy skuadrave përfundoi pa gola në kohën e rregullt dhe në shtesë, duke e çuar fatin e ndeshjes te lotaria e penalltive. Ishte pikërisht Berisha që mori përgjegjësinë dhe ndikoi direkt në suksesin e skuadrës së tij: realizoi saktë penalltinë e tij dhe priti dy gjuajtje të kundërshtarëve.
Me dy pritje vendimtare dhe qetësinë në ekzekutimin e penalltisë personale, 36-vjeçari u kthye në protagonistin kryesor të finales, duke vulosur triumfin e Haken në Kupën e Suedisë.
Ky sukses vjen në një moment të veçantë për portierin kuqezi, i cili riktheu shkëlqimin pas një periudhe të vështirë. Berisha ishte pa skuadër që nga fillimi i sezonit, deri kur në prill firmosi me ekipin suedez, duke u rikthyer në fushë me formë të jashtëzakonshme.