Mario Balotelli do të jetë i ftuari i radhës në emisionin “Belve”, të drejtuar nga gazetarja Francesca Fagnani, që transmetohet të martën, më 27 maj, në “Rai 2”. Në një intervistë pa dorashka, sulmuesi italian foli për karrierën, të kaluarën, të ardhmen dhe marrëdhënien me disa nga figurat më të njohura të futbollit botëror.
“Mund të kisha bërë më shumë, por jam i lumtur,” deklaroi Balotelli, duke reflektuar me sinqeritet për rrugëtimin e tij sportiv.
I pyetur për klubin aktual, Genoa, ai u shpreh kritik ndaj zgjedhjes që kishte bërë:
“Faleminderit tifozëve që më duan, por kam bërë një zgjedhje të gabuar për tipin e klubit.”
Sa i përket të ardhmes, “SuperMario” e përjashtoi rikthimin në elitën e futbollit italian apo evropian:
“Është e vështirë të luaj sërish në Itali apo Europë. Kam një ide të qartë për të ardhmen: Amerika. Do të luaj edhe dy ose tri vite dhe pastaj do të ndalem. Do të jetë një traumë fizike, por gjithçka që rrotullohet rreth futbollit nuk do të më mungojë. Futbolli është një botë e rreme, nuk kam asgjë për t’i pasur zili Messit apo Ronaldos.”
- Advertisement -
Në intervistën e tij nuk munguan as batutat karakteristike. Për José Mourinhon, ish-trajnerin e tij te Interi, Balotelli tha:
“Unë dhe Mourinho ishim dy kokëfortë – kjo dihet. Por për nga karakteri, ai është më keq se unë.”
Ndër momentet më pikante ishte edhe një episod i së kaluarës me Francesco Tottin:
“I shkrova: ‘Pse më godite?’ Dhe ai m’u përgjigj: ‘Sa keq që nuk të godita mirë’.”
Balotelli shfaqet edhe një herë si një figurë e drejtpërdrejtë, karizmatike dhe pa filtra – një prej personazheve më të diskutueshëm, por gjithmonë interesantë të futbollit italian.