Kampioni i Kosovës në futboll, ballkani i Suharekës, ka thënë se ende nuk e di se ku do ta liajë ndeshjen ku është nikoqir në kualifikimet e Champions League.
Sipas klubit, një gjë e tillë është e turpshme dhe për keqardhje.
Ballkani më 11 korrik do të ndeshet me kampionin bullgar, Ludogorts Razgrad.
“”Çdo çudi zgjatë 3 ditë” Kjo proverb hungareze e përhapur në gjithë botën, duket se vetëm në Kosovë nuk përshtatet, ngaqë këtu çudirat e shkelin njëra-tjetrën vazhdimisht, e zgjasin pafund. Një shtet me aspirata sportive për ta zënë Evropën, vazhdon ta çuditë krejt kontinentin, duke mos qenë gati as me kushtet minimale. 4 ditë kanë mbetur deri te data e zhvillimit të ndeshjes më të madhe shtetërore për klube, në nivelin më të lartë të mundshëm, siç është Liga e Kampionëve, e ne ende e kemi të turbullt se ku do të luhet ai duel kualifikues”, ka shkruar Ballkani në një reagim. “Në vend se krejt koncentrimi e vëmendja e futbollistëve dhe stafit të skuadrës tonë, të jetë e fokusuar në futboll, ne përballemi me ngarkesë psikologjike se çfarë po ndodh me fatin e takimit, të datës 11 Korrik”.
- Advertisement -
Sipas klubit suharekas, përmes këtyre situatave të huajve po iu krijohet rasti ta përqeshin shtetin e Kosovës pas vetëm një kërkimi në internet.
“Si të arsyetohet kjo? Ne si klub, kemi arritur të shkruajmë histori ndërkombëtare, duke u futur në mesin e skuadrave që luajnë në nivele të larta evropiane, kurse sot pa kaluar një vit i plotë, ne të njëjtit me të cilët u krenuan të gjithë, nuk kemi informacion se ku do ta zhvillojmë ndeshjen eliminatore të UEFA Champions League, ose mbase një pyetje tjetër, a do ta zhvillojmë fare? Kosova ka nevojë për infrastrukturë, lojtarët tanë kanë nevojë për qetësi para këtyre dueleve të mëdha, jo stres e turp karshi homologëve të tyre nëpër skuadra evropiane”, ka shkruar Ballkani. “Po, është e turpshme kjo që po ndodh, për çdo keqardhje”.