Ansu Fati nuk ka pasur shumë shanse për të startuar këtë sezon me Barcelonën dhe kjo ka bërë që babai i futbollistit të mendojë alternativa të tjera për të birin të cilin e menaxhon edhe në aspektin sportiv.
Njëzet vjeçari ka bërë tridhjetë e tetë paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, por njëzet e shtatë prej tyre kanë ardhur si zëvendësues.
“Nëse do të ishte në dorën time, unë do ta çoja atë në një ekip tjetër por Ansu dëshiron të qëndrojë në Barcelonë. Ai nuk dëshiron të nënshkruajë për një klub tjetër, por unë dua ta shoh atë të ketë sukses. Si baba, jam i zemëruar”, ka thënë Bori Fati për gazetën spanjolle “Cope”. “Ajo që më shqetëson është se si po e trajtojnë atë për sa i përket minutave, një minutë, dy, tre. Nuk po kërkoj që ai të jetë titullar, sepse të gjithë sulmuesit në klub janë fenomenalë, por po flasim për Ansu Fatin, nga Spanja dhe Barcelona, i cili erdhi nga La Masia”.