Më në fund, Kristjan Asllani dhuroi pak nga magjia e tij, teksa përballë Udineses, në Kupën e Italisë realizoi një gol të “çmendur”. Në fundin e pjesës së parë, Asllani ekzekutoi një goditje këndi perfekte, ku topi i hedhur në zonë nuk u devijua nga askush duke përfunduar drejtpërdrejtë në rrjetë. Festa ishte e madhe, jo vetëm nga ana e Asllanit, por dhe nga lojtarët e tjerë të Interit, të cilët nuk i kursyen as shuplakat ndaj “vogëlushit” kuqezi.
Ky ishte një gol shumë i rëndësishëm për Asllanin, një gol që pritet t’i jap më shumë besim për pjesën e mbetur të sezonit, me shpresën që mund të ketë më shumë minuta, si në këtë takim në Kupë ku e nisi si titullar. Në përfundim të ndeshjes, Asllani u tregua realist dhe shumë i kënaqur për këtë gol fantastik:
“Nuk më kishte ndodhur kurrë të shënoja një gol olimpik, isha dhe me fat. Ajo që kishte rëndësi ishte të fitonim, jemi të lumtur pasi po i japim vazhdimësi rezultateve. Kemi një grup fantastik, ka një kimi të madhe mes nesh në dhomat e zhveshjes, dalim shpesh së bashku, kjo është thelbësore për të arritur rezultatet. Dua të falënderoj edhe Arnautovic për mbështetjen, është një nga ato persona që i ndihmon shumë të rinjtë, është thelbësor për grupin”, u shpreh Asllani.