Kristjan Asllani zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë në ndeshjen ndaj Veronës, duke lënë përshtypje pozitive me një performancë të kompletuar në mesfushë. Megjithatë, sipas mediave italiane, ky reagim duket se ka ardhur shumë vonë për të ndryshuar të ardhmen e tij te Interi.
Drejtuesit e klubit zikaltër tashmë kanë marrë një vendim të qartë: sezoni i ardhshëm nuk e përfshin mesfushorin shqiptar në planet e skuadrës. Klubi ka nisur prej kohësh kërkimin për një pasues të Hakan Calhanoglu në mesfushë dhe është i gatshëm të dëgjojë çdo ofertë për Asllanin.
Interesi për lojtarin kuqezi nuk ka munguar, me disa skuadra të Serie A si Bologna, Udinese dhe Torino që tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të hyrë në bisedime. Ndërkohë, interes konkret vjen edhe nga jashtë Italisë, përkatësisht nga Premier League dhe La Liga.
Sipas raportimeve të fundit, Inter është i gatshëm të nisë negociatat me çdo klub që ofron një shifër prej të paktën 25 milionë eurosh për kartonin e 22-vjeçarit.
- Advertisement -
E ardhmja e Asllanit pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të merkatos së verës për lojtarët shqiptarë.