Arsenal vuan, por del me pikë të plota nga transferta përballë Crystal Palace. “Topçinjtë” i përgjigjen Brighton dhe Man.City, tre ekipet e vetme me 6 pikë në 2 javët e para të Premier League. Ekipi i Arteta-s prodhoi volum të lartë lojë, mbi të gjitha në pjesën e parë, duke flirtuar me golin në më shumë se një herë. Nkeitiah goditi shtyllën pingule, ndërsa Odegaard dhe Saka u ndalën nga portieri.
Me fillimin e pjesës së dytë, Nketiah fitoi një 11-metërsh për faull në zonë, ndërsa Odegaard u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke kaluar Arsenal në avantazh. Londinezët ngelën me 10-të lojtarë pas minutës së 67-të, detaj që nuk ndikoi në rezultatin final, me “topçinjtë” që festojnë për këtë trepikësh. Mikel Arteta, trajneri i Arsenal shijon këtë fitore të vuajtur të ekipit të tij:
“Më pëlqen jashtëzakonisht shumë kur fitojmë në këtë mënyrë, me 10-të lojtarë. Nuk lejuan kundërshtarin të afrohej në zonë, të na vendoste në rrezik fitoren”, u shpreh Arteta pas ndeshjes.