Në futboll, ndarjet shpesh shënojnë fundin e një epoke – një kapitull i mbyllur që lë gjurmë të thella në memorien e tifozëve. Dhe sot, Real Madridi përjeton një prej atyre momenteve të rralla e të ndjeshme. Carlo Ancelotti, arkitekti i shumë triumfeve dhe simbol i qetësisë në stuhi, i thotë lamtumirë për herë të dytë klubit që e bëri legjendë.
Në prag të ndeshjes së fundit në “Santiago Bernabéu”, tekniku italian ka publikuar një letër prekëse përmes rrjeteve sociale. Një mesazh i thjeshtë në fjalë, por i rëndë në emocion. Ja letra e tij e plotë:
“Sot ndahemi sërish. Sot mbart në zemër çdo moment të përjetuar gjatë kësaj periudhe të mrekullueshme të dytë si trajner i Real Madridit. Kanë qenë vite të paharrueshme, një udhëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me emocione, me tituj dhe, mbi të gjitha, me krenarinë për të përfaqësuar këtë stemë.
Ajo që kemi realizuar do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve. Faleminderit presidentit Florentino Pérez, klubit, lojtarëve të mi, stafit tim dhe, mbi të gjitha, kësaj tifozërie unike që gjithmonë më ka bërë të ndihem si njëri prej tyre.
- Advertisement -
Ajo që kemi realizuar së bashku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve të Real Madridit, jo vetëm për triumfet, por edhe për mënyrën se si i kemi arritur ato. Netët magjike të ‘Bernabéut’ janë tashmë pjesë e historisë së futbollit. Tani fillon një aventurë e re, por lidhja ime me Real Madridin është e përjetshme.”
Pas publikimit të letrës, klubi mbretëror konfirmoi zyrtarisht ndarjen me një komunikatë të ngrohtë dhe plot respekt për një nga figurat më të mëdha të pankinës së bardhë:
“Real Madrid CF dhe Carlo Ancelotti kanë arritur një marrëveshje për ta përfunduar mandatin e tij si trajner. Klubi ynë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe përzemërsinë për njërën nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe të futbollit botëror.
Carlo Ancelotti e ka udhëhequr skuadrën tonë gjatë një prej periudhave më të suksesshme në 123 vitet e historisë sonë dhe është bërë trajneri me më shumë tituj në historinë e klubit: 3 Liga Kampionesh, 3 Kupa Bote për Klube, 3 Superkupa Europiane, 2 tituj La Liga, 2 Kupa të Mbretit dhe 2 Superkupa të Spanjës – në total 15 trofe në 6 sezone.”
Presidenti Florentino Pérez e cilësoi Ancelottin si një figurë të pazëvendësueshme:
- Advertisement -
“Carlo Ancelotti është tashmë pjesë e pandashme e familjes së madhe të Real Madridit. Jemi krenarë që kemi pasur një trajner që na ndihmoi të arrijmë kaq shumë suksese dhe që gjithashtu ka përfaqësuar në mënyrë shembullore vlerat e klubit tonë.”
Të shtunën, stadiumi legjendar “Santiago Bernabéu” do të ngrejë siparin për herë të fundit për një nga trajnerët më të dashur që kanë prekur ndonjëherë këtë pankinë. Një përshëndetje e denjë për një kapitull që do të kujtohet gjatë në historinë e klubit dhe në zemrat e tifozëve.
Ancelotti largohet, por legjenda e tij do të mbetet përjetë pjesë e ADN-së së Real Madridit.