Pavarësisht një sezoni me vetëm një titull, Kupën e Mbretit, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez do ta mbajë me kënaqësi Ancelottin në krye të skuadrës madrilene.
Nga ana tjetër, trajneri italian ka hequr dorë nga hipoteza joshëse për të shkuar në krye të kombëtares braziliane.
Të gjitha mediat spanjolle raportojnë se, të paktën edhe një vit, Anceloti do të qëndrojë te Reali. Në të vërtetë, sipas burimeve nga Madridi, ai tashmë është duke punuar me drejtuesit për të krijuar ekipin e sezonit të ardhshëm.
Një skuadër e aftë për të fituar La Ligën dhe Ligën e Kampioneve, objektivat minimale të një klubi me ambicie të mëdha. Do të ketë një përforcim për çdo repart përveç në sulm, ku priten dy nënshkrime.
- Advertisement -
Njëri do të jetë Joselu, i cili do të mbushë boshllëkun që Mariano do të lërë i lirë. Tjetra do të varet nga vendimi i Benzemas, i tunduar nga një ofertë nga Arabia Saudite. Francezi ka edhe një vit të garantuar në Madrid, por arabët po e joshin fort.
Javën e ardhshme do të ketë lajme për këtë, në një mënyrë apo një tjetër. Pa harruar edhe objektivin kryesor të madrilenëve që është Jude Bellingham, mesfushori i Borussia Dortmundit.