Bluzë e mirë pambuku e zezë me mëngë të shkurtra, pantallona të shkurtra dhe pëlhurë komode, të së njëjtës ngjyrë. Njëlloj si çorapet deri poshtë gjunjëve dhe këpucët sportive. Në kokë, me një kapele të shtyrë disi mbrapa, duke fshehur disa kaçurrela flokësh shumë të zinj.
Kështu na shfaqet ish-ylli ndërkombëtar i futbollit, në burg që prej 20 janarit, i akuzuar për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare në një banjë (dhomë private) të klubit të natës “Sutton” në Barcelonë. Është e hënë, vetëm pak orë para mbushjes pesë muaj nga burgosja e tij në një qeli në burgun “Brians 2”.
Dani Alves, (Juazeiro, Bahía, Brazil, 6 maj 1983) pret personin që firmos, ulur këmbëkryq në kabinën numër dy të modulit të komunikimit “Brians 2”. Është pothuajse ora 4 e pasdites dhe pjesa tjetër e kabinave janë bosh. Ai ngrihet, buzëqesh, vendos pëllëmbën e tij në ndarjen e xhamit që na ndan dhe falenderon për vizitën: “Faleminderit që jeni këtu”.
Gazetarja e “La Vanguardia” hyn në burg me një tufë faqesh bosh dhe dy stilolapsa me bojë blu, nga ato që nuk dështojnë dhe nuk konsumohen kurrë. Drejtoria e burgut, e informuar më parë për takimin dhe për interesin e gazetares, autorizon komunikimin. Dhe Dani Alves rrëfehet për shumëçka, për herë të parë në media, qysh kur u akuzua rëndë nga një vajzë 23-vjeçare dhe u burgos.
- Advertisement -
Për gati dy orë, braziliani iu përgjigjet të gjitha pyetjeve që i bën gazetarja. Pyetjeve teke dhe pyetjeve të kryqëzuara, bazuar në përgjigjet e tij. Tingulli është i rregullt, siç ndodh gjithmonë në dhomat e thirrjeve të burgut, të paktën në ato më të vjetrat në Katalonjë, siç është “Brians 2”. I burgosuri duhet ta mbajë telefonin afër gojës dhe të ngrejë tonin, nëse dëshiron që zëri të dalë qartë në anën tjetër të “receptorit”.
Në këtë bisedë me gazetaren Mayka Navarro të “La Vanguardia”, futbollisti brazilian mbron pafajësinë e vet dhe pranon pabesinë ndaj gruas së tij, modeles nga Tenerife, Joana Sanz: “Kam vendosur të jap këtë intervistë, intervistën time të parë që kur jam këtu në burg, në mënyrë që njerëzit të dinë se çfarë mendoj unë. Le ta dinë historinë e asaj që përjetova atë mëngjes në atë banjë. Deri më tani është shpjeguar një histori shumë e frikshme frike dhe terrori, e cila nuk ka të bëjë fare me atë që ka ndodhur dhe as me atë që kam bërë.
I vetmi person që duhet t’i kërkoj falje është gruaja ime, Joana Sanz. Gruaja me të cilën u martova tetë vite më parë, jemi ende të martuar dhe shpresoj ta kaloj me të gjithë jetën. Personalisht i kam kërkuar falje këtu, në burg, por duhet ta bëj publikisht, sepse historia është publike, ofendimi është publik dhe ajo i meriton këto falje publike. Kanë qenë, janë dhe do të jenë ditë shumë të vështira për të.
Unë e vlerësoj gjithçka që po bën për mua, roli i saj nuk është i lehtë. E dua dhe këtë herë në burg kam menduar shumë për martesën tonë. Jam i sigurt se nuk gabova që zgjodha Joanën si grua. Edhe pse ndoshta ajo ka gabuar duke më zgjedhur mua.
Gjithçka që ndodhi dhe nuk ndodhi atje, vetëm ajo dhe unë e dimë. E bëra, sepse e dija që banja ishte aty. Kishte një moment që po afroheshim shumë. Ishim në një vend publik dhe megjithëse miku im Bruno qëndronte gjatë gjithë kohës përballë për të mos na bërë foto, i sugjerova që të shkonim në tualet. I thashë asaj se do të hyja i pari atje dhe do ta prisja. Kishim pak kohë që kërcenim shumë afër. Ne nuk u puthëm, nuk bëmë asgjë, por nga lëvizjet dhe shikimet dukej se kishte një tërheqje.
- Advertisement -
Në katin e sipërm është një hapësirë pa privatësi, gjithçka është e hapur dhe unë jam i martuar. I pari hyra vetë në banjë dhe pas pak mendova se ajo do të kishte ndryshuar mendje dhe nuk do të vinte më. U desh shumë kohë. Tashmë po dilja nga dera kur pashë të afrohej. Unë dola anash, ajo më kaloi pranë dhe më pas hyri në banjë. Hyra pas saj dhe unë. Nuk e mbylla derën. Ajo e dinte që Bruno ishte jashtë, duke pritur që askush të mos hynte. Shoku im e dinte se çfarë po bënim.
A e kam sulmuar për të kryer marrëdhënie? Asgjë nga këto nuk është e vërtetë, erdhi atje me ndërgjegjen e saj. Ajo kurrë nuk më tha të ndaloja. As nuk bëri ndonjë gjest dëshire për t’u larguar. Dera ishte e hapur gjatë gjithë kohës, ajo mund të ishte larguar, sepse unë isha ulur praktikisht gjatë gjithë kohës në ndenjësen e tualetit. Asnjë nga ato lëvizjet që ka thënë se e kam detyruar të bëjë nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë shenjë në trupin e saj që shpjegon dhunën me të cilën thotë se e kam trajtuar në banjë.
A isha i pirë? Ne kishim një shishe shampanjë, por kur ata (denoncuesja dhe dy shoqëruesit e saj) iu afruan tryezës sonë, kisha pirë ujë për një kohë. Ne mbërritëm në ‘Sutton’, në tavolinën që na caktonin shpesh dhe si gjithmonë, përgjegjësja e VIP-ave na u afrua për të na pyetur nëse donim të njiheshim me një vajzë. Kjo ndodhte gjithmonë, kur nuk isha me gruan time. Unë i thashë po dhe dy vajza u afruan të parat, por na shqetësonte fakti që donin të bënin foto.
- Advertisement -
Ne iu kërkuam të largoheshin. Në atë moment tri të rejat kaluan pranë tavolinës sonë dhe na shikuan. Edhe ne ato. Ishin me disa meksikanë, të cilët më njohën. Nuk u ndalën, por na shikonin. Ne i kërkuam kamerierit të pyeste nëse donin të vinin. Dhe erdhën. Ne pimë shampanjë dhe iu ofruam të porosisnim çfarë të donin. Zonja me të cilën pata problem filloi të kërcente shumë pranë meje. Unë nuk u tërhoqa.
Atë mëngjes, kur pas meje doli nga tualeti vajza me të cilën kam problemin, qëndrova pak pranë tavolinës. Isha me mikun tim Bruno dhe njerëz të tjerë m’u afruan para se të largohesha. Kur u largova nga disko, te korridori i daljes, nga pamjet mësova se vajza po qante. Unë nuk e pashë atë. Po ta kisha parë duke qarë, do të ndalesha ta pyesja se çfarë po ndodhte.
Dhe në atë moment, nëse dikush, përgjegjës i diskotekës, do të më kërkonte të prisja, sepse një e re pretendonte se e kisha dhunuar seksualisht, unë nuk do të shkoja në shtëpi. Po atë natë shkova në një komisariat për të sqaruar se çfarë kishte ndodhur. Më shkon mendja se është dikush që i ka dhënë këshilla të këqija.
Se është ndjerë keq, pasi e ka bërë aktin seksual, se ka bërë një hap përpara dhe se nuk di më si të dalë nga rrëmuja në të cilën është futur vetë, por më ka futur dhe mua. I bëj thirrje ndërgjegjes së saj. Nuk ka pasur asnjë natë që të kem fjetur i qetë. As një natë të vetme. Unë kam një ndërgjegje të pastër, kurrë nuk kam lënduar askënd me dashje. As vajzën në fjalë, atë natë. Nuk e di nëse e ka ndërgjegjen e pastër, nëse fle mirë natën. Por unë e fal atë.
Versionet e ndryshme që kam ofruar para hetuesve? Nëse dikush ka dashur ndonjëherë me të vërtetë, nëse ka njohur dashurinë e vërtetë si unë, do ta dijë se për ta mbajtur atë dashuri, njeriu bën gjithçka. Dhe gënjeva. Kisha frikë se mos e humbisja Joanën dhe për këtë gënjeva. Kam luftuar me dëshpërim për të shpëtuar martesën time nga tradhtia, pavarësisht nga pasojat që po paguaj.
Prisja me orë të tëra në një birucë. Nuk e dija se ku po shkoja, apo çfarë do të ndodhte me mua. Por kjo nuk ishte gjëja e rëndësishme. Sapo arrita t’i tregoja gruas sime se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe i kërkova falje, doja të dëshmoja përsëri dhe të tregoja të vërtetën. E kam të qartë se e gjithë kjo që po jetoj është një makth. Shpresoj se një ditë do të përfundojë.
Kur mora vesh për denoncimin? Mendoj se ka qenë e nesërmja. Sepse askush nuk më tha asgjë atje. Unë u largova nga ‘Sutton’ i qetë. Arrita në shtëpinë time. Bëra dush, sepse gruaja ime ishte tashmë në gjumë dhe më vinte turp nga tradhtia që kisha kryer. U shtriva në një shtrat tjetër.
Duhej të kthehesha në Meksikë dy ditë më vonë për të luajtur, por në disa media u publikua se një e re akuzoi Dani Alves për sulm seksual. Telefonova avokaten time, Miraida Puentes, në telefon. Ajo u konsultua me ‘Mossos’ dhe nga gjykata më siguruan se nuk kishte asnjë ankesë dhe se mund të udhëtoja dhe të largohesha nga Spanja me qetësi të plotë. Prandaj u largova”.