Altin Lala ishte i ftuar përmes një lidhjeje direkte nga Gjermania me emisionin “Shqipëria Live” në “Top Channel”.
Ish-mesfushori shqiptar ka komentuar shortin e Shqipërisë për Euro 2024.
Megjithëse gjendemi në grupin më të vështirë të mundshëm, me kundërshtarë si Spanja, Kroacia dhe Italia, Lala nuk e humb besimin te Kombëtarja.
Ai është shprehur se ndaj Italisë dhe Kroacisë kuqezinjtë mund të marrin 3 pikët.
- Advertisement -
“Unë shoh shanset tona. Spanjën e shoh shumë të vështirë që t’i marrësh tre pikë. Kurse Italia dhe Kroacia janë të dyja të mundshme, mund të marrësh tre pikë me të dyja. Natyrisht, duhet të të eci çdo gjë mbarë. Duhet të kesh edhe shumë fat. Besoj se edhe për djemtë që do të jenë prezentë në fushë, por edhe në pankinë, do ta shijojnë këtë gjë”, u shpreh ish-futbollisti shqiptar.
“Jo vetëm që do ta shijojnë, sepse nuk po shkojnë për turizëm, të japin maksimumin, bashkë me ndihmën e tifozëve. Shumica e lojtarëve tanë që luajnë në formacion, luajnë në Itali. Kështu që e njohin shumë mirë futbollin Italian. Prandaj thashë që me Italinë dhe Kroacinë mendoj se do të kemi shanset tona. Të shpresojmë, ndoshta bëjmë një mrekulli”, përfundoi Altin Lala.