Ja ku jemi përsëri. Një tjetër finale. Një ndeshje më shumë. Një shtytje e fundit. Para se të mendojmë për atë që vjen më pas, fakti që jemi këtu, përsëri, ia vlen ta shijojmë. Unë mbusha 50- vjeç përpara se të shihja Anglinë të arrinte një finale të madhe gjatë jetës sime, dhe tani jemi në finalen e dytë në tre vitet e fundit dhe të parën në tokë të huaj.
Vetëm arritja këtu duhet të jetë një arsye për të festuar, por Garet Sauthgejt tashmë e ka ndryshuar narrativën në mënyrë që pritshmëria është që ne të shkojmë larg në këto turne dhe sigurisht të gjithë duan hapin tjetër.
Tani Anglia duhet vetëm të shkojë dhe ta përfundojë atë, për të kapërcyer vijën dhe për të na dhënë fundin që të gjithë duan, atë me Herri Kejnin që ngre trofeun në “Olympiastadion” të Berlinit.
Si lojtar i kombëtares, kapiten, tifoz apo ekspert i Anglisë, këto janë momentet që kam ëndërruar dhe shpresoj se përballja e së dielës në “Euro 2024” me Spanjën do të jetë një ditë shumë e veçantë.
- Advertisement -
ARSYET PËR TË BESUAR – Ne do të luajmë kundër skuadrës më të mirë në turne, e cila i ka fituar të gjashta ndeshjet pa pasur nevojë për penallti dhe kanë qenë kaq mbresëlënës me gjithçka që kanë bërë. Por ka ende arsye për të menduar se kjo skuadër e Anglisë mund të fitojë dhe ta vendosë veten në librat e historisë.
Si fillim, ju e dini që Garet dhe lojtarët e tij do të besojnë se mund ta bëjnë këtë. Ata gjithmonë e kanë bërë të qartë se kanë ardhur në këtë turne për ta fituar atë dhe se besimi nuk është lëkundur kurrë. Paraqitjet tona në Gjermani nuk e kanë mbështetur gjithmonë këtë, por edhe kur nuk luanim mirë, ka pasur mënyra të tjera ku kemi treguar pse kemi përshkuar distancën dhe pse kemi një shans të jashtëzakonshëm edhe në finale.
Po flas për karakterin që vjen nga pas dhe gjeti një mënyrë për të fituar në të tria ndeshjet me eliminim, me momentet e mëdha nga individët për të shënuar gola të tillë jetikë në fund dhe ato penallti perfekte nën presion me Zvicrën.
STOLI DUHET TË VAZHDOJË TË BËJË DIFERENCËN – Është bërë shumë zhurmë rreth Anglisë në këtë turne dhe se si lojtarët u janë përgjigjur kritikëve të tyre, përfshirë mua dhe ekspertët e tjerë të BBC-së. Kur e analizon, megjithatë, askush nuk ka thënë asgjë ndryshe nga ajo që ka thënë vetë skuadra kur nuk ka luajtur mirë. Ashtu si ne, ata e dinin se mund të bënin më mirë… dhe janë përmirësuar.
Garet tha vetë se performanca kundër Zvicrës ishte më e mira e Anglisë deri më tani, dhe më pas tha të njëjtën gjë pas gjysmëfinales. Megjithatë, kurrë nuk mund t’i kënaqësh të gjithë. E di që ka shumë njerëz në mediat sociale që ende e vënë në dyshim Kejnin, duke thënë se ai nuk duhet të startojë kundër Spanjës, por mendova se ai luajti mirë në pjesën e parë kundër holandezëve, kur një goditje iu prit në mënyrë të shkëlqyer.
- Advertisement -
Unë nuk kam asnjë dyshim se Garet do të vazhdojë të qëndrojë me Herrin në finale, dhe me të drejtë, por ne gjithashtu e dimë se kemi lojtarë që janë të gatshëm të hyjnë dhe të bëjnë diferencën nëse është e nevojshme.
ANGLIA E PATREMBUR – Përveç një thellësie të vërtetë talenti, gjëja tjetër që ka me bollëk kjo skuadër e Anglisë është bashkimi dhe shpirti i ekipit. Ajo u ka shërbyer atyre mirë gjatë javëve të fundit dhe i ka ndihmuar të gjejnë përgjigjet për problemet me të cilat janë përballur dhe do të kenë nevojë për më shumë të njëjtën gjë të dielën.
Do të ketë beteja intensive individuale, por Anglia ka lojtarë që mund të dëmtojnë edhe Spanjën, dhe ne kemi një cilësi tjetër që do të jetë vendimtare, jemi të patrembur. Lojtarët tanë më të rinj si Kobi Meino dhe Mark Guehi sigurisht që nuk do të frikësohen nga rivali apo rasti. Kjo skuadër e Anglisë është në prag të diçkaje shumë të veçantë dhe e diela është shansi i tyre për ta bërë këtë. Mezi pres të shoh se si do të shkojnë.