Oferta e domosdoshme për Kylian Mbappé ka mbërritur tashmë te PSG. Jo një surprizë e vërtetë, duke pasur parasysh profilin e sulmuesit, por gjithsesi përtej të gjitha pritshmërive fillestare, për një lojtar që ka vetëm një vit kontratë. Al Hilal në fakt formuloi një propozim prej 300 milionë eurosh për të blerë kartonin e francezit.
Oferta, e datës 22 korrik, është e qartë dhe e stëmadhe: 300 milionë euro për Mbappe, përfshirë 5% të aksioneve që do t’iu ndahen sipas rregullores klubeve stërvitore të kampionit. Ky është një propozim fillestar për t’u strukturuar më vonë në llojin e pagesës, por që padyshim PSG po e studion me kujdes, duke e konsideruar tashmë shumë “konkurruese”.
Por në 48 orët e fundit, propozime apo mesazhe të ndryshme kanë mbërritur në tryezën e presidentit Al Khelaifi për të hetuar terrenin. Pra, përveç Al Hilal, tri klube angleze janë interesuar: Chelsea, Manchester United dhe Tottenham. Sipas burimeve pariziene, edhe Barcelona ka kërkuar informacion. Nga ana tjetër, disa klube propozojnë përfshirjen e lojtarëve të tjerë në operacionin eventual.
Gjithçka mbetet në shqyrtim, por askush nuk do të jetë në gjendje ta detyrojë Mbappe të largohet nga Parisi në fund, pavarësisht kërcënimit të klubit për ta lënë atë jashtë fushës për të gjithë sezonin, para Kampionatit Evropian dhe Olimpiadës. Sulmuesi tashmë është përjashtuar nga turi aziatik dhe po stërvitet me skuadrën e tepricave (lojtarëve në shitje).
- Advertisement -
Pavarësisht kësaj, ai është parë i buzëqeshur, duke firmosur autografe për fansat, që e presin jashtë qendrës të Poissy, në periferi të Parisit. Klubi i emirit të Katarit nuk synon ta humbasë falas atë, ndaj e ka nxjerrë zyrtarisht në treg, duke ruajtur opsionin për rinovim pas vitit 2024, gjë nga e cila Mbappe e ka hequr dorë.
Sikurse dihet, 24-vjeçari ka refuzuar të përdorë klauzolën në kontratën aktuale deri në vitin 2025. Sipas PSG-së, pas yllit francez qëndron Real Madridi, i cili i ka ofruar francezit 26 milionë euro euro në sezon pagë fikse, kontroll të plotë të të drejtave të imazhit dhe një bonus prej 160 milionë eurosh për nënshkrimin.
Mbappe thotë “JO” – Ndërkohë, në Spanjë janë të sigurt se sulmuesi francez, Kylien Mbappe, nuk ka ndërmend të shkojë në Arabinë Saudite, pavarësisht ofertës së marrë. Ai i ka thënë “JO” kontratës 2-vjeçare saudite me një total prej 400 milionë eurosh, një zgjedhje e fortë për të cilën francezi do të marrë përgjegjësinë e plotë. “Nëse i duhet të qëndrojë në pankinë gjatë gjithë sezonit të ardhshëm te PSG, do ta bëjë”, – janë shprehur burime të afërta me Mbappé për medien spanjolle “Relevo”.