36-ta ishte e pranishme në “Bernabéu”, para dhe gjatë ndeshjes që Real Madridi luajti kundër Alavés. Pse 36-ta? Sepse kaq është numri i titujve kampionë në La Liga, që ka fituar skuadra e bardhë. I fundit, ai me numrin 36, u sigurua matematikisht më 4 maj.
Një titull që “Los Blancos” e festuan të dielën e kaluar, ndërsa të martën mbrëma e vijuan me ekspozimin e të gjithë trofeve të këtij lloji në mesin e fushës së “Bernabeu”, për t’u shijuar nga tifozët. Duhet specifikuar se i vetmi trofe i vërtetë ishte ai i titullit të 36-të. Të tjerët, që rrethonin mesin e fushës, ishin imazhe, secili me vitin kur Real Madridi i fitoi ato.
Alavés bëri “roje nderi” për kampionët e Real Madridit, ndërsa kapiteni Nacho doli në fushë me trofeun në duar. Foto protokollare e të gjithë skuadrës, duartrokitje, ekstazë dhe thirrje kampionësh në një “Bernabeu” të mbushur plot, shoqëruar me fitoren 5-0.
Nëse dikush nuk e dinte se sa tituj kampioni ka fituar Real Madridi në La Liga, kishte lloj-lloj detajesh për ta zbuluar këtë gjë. Një 36-të e madhe fliste qartë në qendër të fushës. Jo vetëm kaq, flamujt e këndit tregonin po ashtu numrin 36. Pra, kudo në “Bernabeu” spikaste 36-ta.