Aktori Osman Azemi, në seancën e së premtes, është deklaruar i pafajshëm për posedim të disa gramëve kokainë.
Ai u shpreh: “Unë nuk e ndjej veten fajtor. Arsyeja është sepse deklarata në polici nuk është e imja, dhe nuk është e saktë ajo që u paraqit sot këtu”.
Një deklarim të tillë, i njëjti e ka dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokuroja Elza Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që i akuzuari Azemi nuk e pranoi fajësinë, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj e njoftoi atë me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
- Advertisement -
Sipas gjykatësit Sadikaj, lidhur me kërkesat eventuale do të vendoset jashtë seancë dhe shqyrtimi i dytë për këtë çështje penale nuk do të mbahet. Gjithashtu, gjykatësi Sadikaj ka thënë se, nëse nuk paraqiten kundërshtimet e tilla brenda këtij afati, gjykata do të konsiderojë se palët kanë hequr dorë për kundërshtime dhe do të caktohet shqyrtimi gjyqësor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Osman Azemi akuzohet për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.