Shkruan: Halil Matoshi
Me gjasë dy liderët e shteteve ballkanike që ende nuk e kanë gjetë mënyrën e duhur për tejkalimin e armiqësive, janë në fazën eksperimentuese.
Ato po e bëjnë interpretimin e Marrëveshjës së Brukselit jo sipas asaj që është, por sipas asaj që dëshirojnë të jetë.
Të thërrasësh për të votuar një komunitet etnik si kategori kushtetuese, në pikat e kontrollit policor dhe në kontojnerë, psh. në mal si në brigjet e Ujmanit, megjithëse zgjedhje kushtetuese, kjo anon kah imponimi i vullnetit politik dhe lëndim i madh i demokracisë dhe Albin Kurti do ta paguaj koston e kësaj prove të marrë.
- Advertisement -
Por në anën tjetër, në ngarendje për të dëshmuar se kush e konrollon realisht veriun e Kosovës, Vučić gaboi, ngase dalja nga institucionet dhe bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët kosovarë e bën të pamundshëm themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, sepss Marrëveshjet parashohin se Kuvendin themelues të këtij mekanizmi e përbëjnë asambleistët e zgjedhur të komunave me shumicë serbe.
E sipas Marrëveshjës së vitit 2013, e cila kurrë nuk është sfiduar nga Gjykata Kushtetuese, Asociacioni është një garancë ndërkombëtare për të drejtat kushetuese të serbëve të Kosovës.
Kurti e do një Asociacion “pa dhëmbë” kurse Vučić një monstrum kushtetues për ta çuar përpara projektin e tij të “Botës serbe”.
Me zgjedhjet në veri të Kosovës (të cilat BE nuk kërkoi të shtyhen, porse i zhvlerësoi me një fjali), Qeveria kosovare e trimëruar nga fakti se amerikanët nuk mohuan legalitetin e tyre, u turrën të krijojnë avantazh karshi Beogradit. Por zgjedhjet vetëm sa i homogjenizun serbët atje, duke e shplarë Listën Srpska nga shumë mëkate, që nga bashkëpunimi me banditë të nëntokës e elemente të krimit, deri tek monoplizmi i jetës politike, me elemente frikësim e shantazhi ndaj serbëve lojalë të Republikës së Kosovës.
Këtë parti nominalisht legale (të registruar në KQZ) Qeveria e ka popullarizuar tek serbët kosovarë si mbrojtëse unike e serbizmit, pikërisht duke e atakuar për atributet e saj kleronacionaliste. Besohej se me fillimin e zbatimit të Marrëveshjës së Ohrit, Lista Srpska do të relativizohej, për të krijuar terren demokratik për nisma e parti qytetare që promovojnë vërtet interesat e serbëve kosovarë, por Qeveria e Kosovës organizoi zgjedhje për qef të vetin e për inat të Beogradit, por pa legjitimitet demokratik.
- Advertisement -
Kurti e Sfeçla me pajtuesit e tyre, provuan ta fusin në kurth Vučić-in, me pritjën që serbët që janë instrumente të tij të shkaktonin incidente, por ai e hetoi karremin duke e shmangur dhunën, për ta qitë keq Prishtinën zyrtare sy bote, e cila tash s’po di se çka të bëjë!?
Më dy maj do të kuptohet më shumë për misterin e zgjedhjeve në veri, të cilat nuk mund të vëndosin pushtet real, sëkëndejmi nëse palët duan seriozisht ta zbatojnë Marrëveshjën, do të shpalleshin zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme, në afat optimal (për tre apo katër muaj) që të përshpejtohej krijimi i Asociacionit.
Pika 10 e Marrëveshjës, e negociuar ndërmjet Kurtit dhe Vučić-it duke i dhënë fuqi edhe me pikën shtatë (veç ata dy e dijnë se çka do të thotë termi ekonomik vetmenaxhim!?) do të nisë të zbatohet ndër të parat dmth. se themelohet Asociacioni, i cili duhet të mendohet brenda kornizave të Kushtetutës dhe Ligjeve kosovare, porse partia e Vučić-it në Kosovë taktizon duke pretenduar se Serbia është Ama Kushtetuese e Asociacionit e jo Kosova, gjë që nuk kalon.
- Advertisement -
Asociacioni do të jetë model european që buron nga Kushtetuta e Kosovës e jo model i spastrimit etnik si Republika Srpska.
Kjo duhet t’i bëhet e qartë Vučić-it dhe serbëve kosovarë, ndërsa ekipi menaxhues nuk ka punë me Elbert Krasniqin po me Albin Kurtin, sepse Asociacionin e dekreton Qeveria e jo Ministria e pushtetit lokal.
Dyshoj që Kurti nuk e di këtë.
Ai po taktizon që dy vjet.
Porse, taktikat rëndom bëhen për të blerë kohë e aleatë, por ato nuk i zgjidhin problemet.
Taktizmet pa takt, si rasti i zgjedhjeve në veri, pa veriun, druhet se shndërrohen në tragjikomedi.