Shkruan: Ben Andoni
Orët e para të pasvdekjes së Kadaresë u kanë lënë vend nderimeve të shumë njerëzve, përpjekjes për të treguar afërsinë e veçantë të të tjerëve, episodeve, panegjirizmave dhe protagonizmit të shumë njerëzve syresh. Vdekje të tilla, zakonisht, tregojnë dhe pjekurinë e një kombi, në mënyrën sesi e përtyp hidhërimin, si e nderon të ndjerin por mbi të gjitha, ndikimin që i vdekuri kishte dhe tashmë e përcjell si sens metafizik nga pasjeta.
Si rrallëherë për Kadarenë këto ditë kanë sjellë përqasje me esenë e famshme të Roland Bart (Roland Barthes), “Vdekja e Autorit”. Individi që krijon është pjesë e një shoqërie, ai krijon, por edhe përcjell të kodifikuar mendimin e një brezi dhe të vetë materies humane, që ai vetë sendërton me formimin dhe idetë. Për Bart do të ishte gabim që të kritikohej vetëm Autori për krijimin e tij, kuptohet pa shmangur elementin e shikimit biografik të dikujt. Ndër vite shumë krijues kanë ndërkallur elementë të narracionit, duke e shmangur vetën e parë disa herë dhe duke i dhënë jetë një mjedisi, ku Autori e humbet fuqinë sepse flet realiteti i tij, ashtu si krijues të tjerë u janë kundërvënë duke dhënë shembuj që krijuesi di të krijojë dhe të shpikë veten. Tek e fundit, në çdo gjë, fuqia mbetet te ndikimi për lexuesin.
A mundet dikush që të krijojë dhe ta bëjë lexuesin pjesë të krijimit të vet, duke u vetëshmangur apo të krijojë Unin narrativ me elementë të tjerë. “Lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e autorit”, na vjen mesazhi kategorik nga Bart, që do të thotë se në fund Autori ua lë kumt lexuesve dhe kohës të shikojë e rivlerësojë veprën e vet. Ne të gjithë, që këtej e tutje, do jemi komuniteti i lexuesve të Kadaresë, në rastin e tij. Jo vetëm për kohën, por edukimin nëpërmjet veprës së tij. Ashtu, si do ta tregojë koha, fuqia e veprës së tij, sistemi arsimor, mënyra sesi do të ndryshojë antropologjia kulturore, që postulati i lartpërmendur të provohet. Trandja ka filluar që këto ditë, kur përmendet me plot gojën dhe krenari “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave”, “Përbindëshi” e shumë e shumë të tjerë, ashtu si kujtohet nga zëra të ndryshëm “Dimri i vetmisë së madhe” dhe Koncerti në fund të dimrit”. A do të lindë një lexues, përkundrejt atyre që janë rritur me veprën e Kadaresë dhe e kanë mbajtur si busull për të gjetur ndryshimin e pritshëm, që tashmë do kërkojë të gjejë strehë sërish te Kadare në kohët e reja? Ashtu si mësohet në shkollat tona nga mësuesit e tanishëm të letërsisë (një pjesë jashtëzakonisht zhgënjyes), shtuar me studimet tona ende të frikësuara për të thënë të vërteta dhe mbi të gjitha mitizimet, ideja do të jenë sfiduese.
- Advertisement -
A mund të bëhet letërsia e Kadaresë pa emrin e Kadaresë, thjesht si letërsi?! Nuk mund të mohohet se Kadare kulmon me stilin e tij të papërsëritshëm dhe mënyrën e qasjes së problematikave të ndryshme me alegori tejet të goditura. Nëse nuk do ishte Kadare, nuk do të kishte shkrim të tyre, “por si kundër-argument përdoret fakti se në mos ai shkrimtar, shkrimin do ta sillte në jetë një tjetër. Këtë e vërtetojnë vepra të cilat në ndërtim janë mjaft të ngjashme, ajo që ndryshon është mënyra e të sjellurit të fenomenit”, shkruan Janosh Gustav te “Biseda me Kafkën” . Në fakt, bashkëkohësit kolegë nuk është se arritën të zbërthenin problematika me alegori, sepse u vlente më shumë të tregoheshin besnik të metodës së Realizmit Socialist, ku edhe Kadare ka kontributin e vet. Ndërkohë ishte lexuesi që sapo shihte emrin e Kadaresë priste ndryshimin dhe mesazhin, që e kishte transkriptuar më së pari ai dhe e përcillte te lexuesi i tij. Rrallëherë ka ndodhur që në një vend pa reklama të zihej radhë dhe të bëhej çmos për të pasur librin e ri të Kadaresë, apo që shoqëria të ishte në ankth se çfarë po shkruante Kadare, sepse i duhej të maste pulsin e vet.
Në një moment, ku më shumë dukej se do të “shfajësohej” përballë një numri cinikësh, Kadare do të pohonte një mesazh të madh, që është i vërtetë se: na kishte dhënë letërsi bashkëkohore në një kohë gri, ku nuk penetronte asnjë rreze drite. Teoritë e shumta të letërsisë moderne e përcjellin autorin drejt vdekjes së tij pas krijimit, por ai mbetet tek lexuesi si krijues dhe si autoritet moral. Në të gjallë, Kadare u mundua të ishte një autoritet i vërtetë moral, përveçse atij politik. Të kujtojmë së fundmi atë që bëri për Rambujenë apo epistolarin zyrtar që bëri publikisht ndaj Presidentit francez Shirak në kohën e ngjarjeve të Kosovës, atëherë ai do kujtohet vërtetë shumë dhe me respekt. Por, përpjekja për theksimin e autoritetit moral për autorin ka dhe zgafella të tjera, pasi ajo përmban përditësinë e tij si qenie dhe paraqitjet e Autorit në kohë të ndryshme. Kadare kishte vende, sa i përket sjelljes së tij, ku ata që duan të kapen veçse me veprën e tij mund të kapen lirisht. Është një fashë jo e vogël shoqërore, që Autorin Kadare e mban si njeriun, që na mbushi në një kohë, kur ishte vështirë dhe të ëndërroje dhe kjo është e vërtetë, kur shikon fuqinë e veprës së tij të para viteve ‘90 dhe mesazhin social dhe moral. Ndikimi që do të ketë këtej e tutje do të provojë një fakt: nëse ne të gjithë si lexues të tij do të duam t’i kthehemi apo jo?!
Në të gjallë, Kadare e çoi shoqërinë shqiptare në limane, ku as nuk ëndërronte të shkonte, tashmë në amëshim do të tregojë shoqëria sesa ka nevojë për të. Kadare e plotësoi misionin e tij, që në të gjallë, sepse disa nga veprat jetonin me autorin, që e bënë të pavdekshëm. Urojmë që kritika të përballet realisht dhe të tregojë fuqinë e veprës së tij në kohë të ndryshme, ashtu si Autori të mbetet, edhe me lindjen e një Lexuesi të ri, që është cinik me Autorin. Për kombe të vegjël, kjo mbetet sfidë gati metafizike. “Lindja e lexuesit duhet ta ketë si çmim vdekjen e autorit” mund të thuhet për një Autor të madh, që ka vdekur vetëm fizikisht. Lexuesi i ri tashmë pas vdekjes së Kadaresë mund të ndërgjegjësohet për peshën e tij në Shqipërinë e gati treçerek shekulli dhe mbijetesës së artit të tij në një kohë aq të ashpër për shqiptarët. Por më shumë për një njeri, që si Autor, shërbeu me vetëdije si Ndërgjegje e Kombit. (Homo Albanicus)