Shkruan: Veton Surroi
Politika perëndimore gjatë vitit 2022 bëri ndryshim qenësor në dialogun Kosovë-Serbi. Kaloi prej ndjekjes së objektivit të “marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme” në “marrëveshje normalizimi”. Së pari “normalizim”, pastaj “gjithëpërfshirje”. Si ndikoi në mënyrën që nuk pritej lufta në Ukrainë dhe si do të zhvillohet tutje?1.Po ta kthejmë kokën prapa, në vitin 2022, do të shohim dy zhvillime që kanë ndikim parësor në zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht në jetën e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë.
Zhvillimi i parë është lufta e filluar nga Rusia në Ukrainë. Kjo luftë ka pasur ndikimin e vet të jashtëzakonshëm në siguri energjetike, atë të ushqimit dhe financiare gjithandej Evropës e madje edhe gjithandej në botë. Jetesa është bërë më e shtrenjtë, kreditë po ashtu e në fund edhe perspektiva e zhvillimit të Evropës do të varet prej shpejtësisë dhe aftësisë që ka e do të ketë për të krijuar një politikë të bashkuar jo vetëm për të tejkaluar këtë kohë pasigurie, por edhe për të ndërtuar në fund të luftës në Ukrainë një Evropë më të integruar e të sigurt.
Në marrëdhëniet Kosovë-Serbi lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah atë që ishte evidente përgjatë këtij shekulli (dhe atij të kaluar), ndikimin që e ka Rusia në Ballkanin Perëndimor, duke u pozicionuar krah Serbisë e kundër Kosovës. Rezultati imediat i këtij pozicionimi ishte qëndrimi i pandryshuar i Serbisë që të dënojë verbalisht e në OKB agresionin e Rusisë në Ukrainë, por të mos rreshtohet me vendet e tjera evropiane në ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
- Advertisement -
Serbia ka zgjedhur këtë rrugë që shumëkujt në fillim i dukej se do ta dobësonte pozicionin negociator (dhe pozicionin e saj ndërkombëtar në përgjithësi) në formë të vetëdijshme. Pra, përtej medieve të afërta me pushtetin mund të ketë qenë vetë pushteti i cili kishte nevojë për një pozicionim aq të qartë prorus saqë muajt e parë të agresionit rus lufta në Ukrainë quhej me fjalorin e Putinit “operacion special”. Por, përtej sentimentit real prorus që ekziston ndër qytetarët serbë, vlerësimi i bërë nga kreu i Serbisë ishte se duke marrë një qëndrim prorus (apo të dakorduar të “neutralitetit”), pozicioni i Serbisë do të forcohej.
Në këtë përllogaritje, në Serbi u vlerësua se BE-ja (dhe SHBA-ja) nuk kanë më shkopinj e karota kredibile ndaj Serbisë. Do të ishte e pamundur të mendohej se do të vendoseshin sanksione kundër Serbisë për mosakordim të politikës së saj të jashtme me BE-në, për më tepër, pasi Serbia kërkon publikisht që këtë politikë të jashtme ta akordojë kur të jetë pranë integrimit si anëtare në BE, e kjo datë as që përmendet, madje jo me siguri për një afat prej një dhjetëvjetëshi. Në këtë situatë, kur BE-ja nuk ka çka t’i ofrojë më nga paketa e integrimeve evropiane (liberalizimi i vizave, statusi i kandidatit, fondet IPA etj. janë tashmë të arritura të Serbisë), Serbia ka vendosur bastin në një skenar tjetër: atë të shtetit që do lutur për të qenë evropian.
Dhe, në këtë gjendje është pozicionuar politika perëndimore, përfshirë edhe SHBA-në, në atë “të mos lejojmë që Serbia të shkojë kah Rusia”.
Ky pozicionim ka pasur efekt të drejtpërdrejtë në një ndryshim të politikës perëndimore ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë identifikuar si konflikt i papërfunduar dhe me krizat (e kontrolluara) si ajo me targa e barrikada, kanë hyrë në segment të sigurisë evropiane. Dhe duke mos pasur ndonjë përgjigje më të mirë sesa vazhdimi i dialogut të Brukselit (me suksese tejet të zbehta) në politikën perëndimore është bërë një rirreshtim. Nuk do të ndiqet më objektivi i “marrëveshjes përfundimtare ligjërisht të obligueshme”, siç u quajt për dhjetë vjet objektivi i dialogut të Brukselit, por tash do të ndiqet një “marrëveshje normalizimi”. Kjo marrëveshje duhet të sigurojë që dy shtetet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, por pa njohjen e ndërsjellë, çfarë ka qenë apo mund të ketë qenë objektivi i dhjetë vjetëve të kaluar.
- Advertisement -
Ky është tash propozimi franko-gjerman (të cilin J. Borrell e quan plan evropian). Pra, Perëndimi ka kaluar në politikën e dyhapëshit: njëherë “marrëveshja e normalizimit”, pastaj dhe kur të vijë koha njohja e ndërsjellë.
Ndryshimi i politikës perëndimore ka ndodhur nga interpretimi i realitetit që ka prodhuar lufta në Ukrainë dhe pozicionimin e Serbisë ndaj saj. Në këtë gjendje, kur Perëndimi kërkon që ta tërheqë Serbinë nga vetja dhe larg Rusisë, nuk është identifikuar mjet presioni apo joshje që do ta bënte Serbinë që të nënshkruajë marrëveshjen me bazë në njohjen e ndërsjellë. Për më tepër, në këso gjendje të Serbisë është e vështirë edhe marrëveshja e normalizimit që do ta cilësonte Kosovën si shtet të barabartë me Serbinë. Në kësi konteksti, BE dhe SHBA kanë përllogaritur se duhet arritur një marrëveshje që “normalizon” marrëdhëniet brenda vitit 2023, edhe nëse kjo marrëveshje nuk është ajo e njohjeve të ndërsjella.
Kjo është njëra gjysmë e interpretimit të realitetit që ka prodhuar lufta në Ukrainë dhe pozicionimi i Serbisë në të. Gjysmën tjetër duhet ta përcaktojë Kosova me përmbajtjen e çfarë marrëveshje që arrihet gjatë këtij viti me Serbinë, e ai është që Kosova të vihet qartazi si vend i barabartë në procesin e integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian.
- Advertisement -
Dhe, jo më si “perspektivë euroatlantike”, por si proces i përligjur negociator.