Përmes një komunikate për media, Zyra e BE-së në Kosovë, ka reaguar ndaj vendimit preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës për interes publik në Leposaviq dhe Zubin Potok. Zyra e BE-së deklaron se është në dijeni për vendimin dhe konstaton se çdo shpronësim, është i ndjeshëm për nga natyra dhe për këtë arsye kanë numëruar disa hapa të cilët duhej të ishin ndjekur.
“Çdo shpronësim është i ndjeshëm për nga natyra, prandaj procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si njoftimi i avancuar dhe informacioni gjithëpërfshirës i pronarëve të pronave, e drejta e tyre për të paraqitur komente mbi shpronësimin e kërkuar, mundësia e një mjeti të përshtatshëm juridik dhe kompensimi adekuat i tyre përpara procesit”, deklaron BE-ja ën Kosovë.
Zyra e BE-së në Kosovë shprehet se themelimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore – në disa raste, para fillimit të procedurave të shpronësimit – ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet.
“BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t’i përmbahen rreptësishtë procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, shkruan në deklaratë.
- Advertisement -
Ky reagim i Zyrës së Be-së në Kosovë vjen vetëm një ditë pasi në veri të Mitrovicës, qëndroi emisari për dialogun, Miroslav Lajçak dhe takimit që pati me politikanët lokalë serbë.
Sipas Lajçakut, situata në veri mbetet e tensionuar.